POSTIMET E FUNDIT

Diaspora nis regjistrimin për zgjedhjet e 7 qershorit

Nga sot, 6 maj, ka nisur zyrtarisht periudha e regjistrimit për votuesit jashtë Kosovës, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor 2026. Afati për regjistrim do të zgjasë deri më 17 maj.

Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), qytetarët që jetojnë në diasporë mund të regjistrohen për votim përmes platformës elektronike të institucionit ose duke dërguar aplikimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Ndërkohë, KQZ ka vijuar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve, duke zbatuar planin operacional dhe duke aktivizuar fazat kryesore të procesit zgjedhor. Një ditë më parë, ky institucion ka prezantuar raportin e Listës Preliminare të Votuesve.

Sipas të dhënave zyrtare, lista përmban gjithsej 2,092,202 votues, duke shënuar një rritje prej 15,912 votuesish krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Kjo rritje reflekton edhe përfshirjen e votuesve të rinj dhe atyre që janë regjistruar për herë të parë.

Në këto zgjedhje, pritet që për herë të parë të votojnë 22,131 qytetarë. Prej tyre, 16,933 janë të rinj që kanë mbushur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa 5,198 të tjerë janë regjistruar rishtazi ose kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

Pjesëmarrja e diasporës konsiderohet një element i rëndësishëm në procesin zgjedhor, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve jashtë vendit që të shfrytëzojnë këtë periudhë për t’u regjistruar dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për votë, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB