Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë dhe pritet të shpallet më 20 korrik 2026, duke zgjatur pritjen për një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore që lidhen me luftën në Kosovë.
Konfirmimi për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit është dhënë nga avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq. Në një deklaratë për RTK-në, ai ka bërë të ditur se raportimet në media lidhur me datën e re janë të sakta.
“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiq, duke iu përgjigjur interesimit nëse vendimi është shtyrë për më 20 korrik.
Fillimisht, shpallja e vendimit ishte planifikuar të bëhej më 19 maj, në përputhje me afatet procedurale. Megjithatë, sipas rregullores së Dhomave të Specializuara, trupi gjykues ka në dispozicion deri në 90 ditë për të marrë një vendim, me mundësi shtyrjeje edhe për 60 ditë të tjera në raste të caktuara.
Ky proces gjyqësor ka tërhequr vëmendje të madhe brenda dhe jashtë Kosovës, duke u konsideruar si një nga rastet më të ndjeshme dhe me ndikim në drejtësinë ndërkombëtare dhe në narrativën e luftës së fundit në vend.
Me shtyrjen e re, epilogu i këtij procesi pritet të bëhet i ditur në mes të verës, ndërsa opinioni publik mbetet në pritje të vendimit që pritet të ketë jehonë të gjerë politike dhe shoqërore, transmeton rtk.




