Përgatiti Dahest LUMA
Cyrih, 27 Prill 2026 – Në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih u mbajt një mbrëmje e veçantë kulturore dhe përkujtimore, e cila mblodhi bashkatdhetarë, veprimtarë dhe personalitete të fushave të ndryshme për të nderuar kujtesën historike dhe për të promovuar veprat e autorit dhe mjekut të njohur, Prof. Dr. Salih Krasniqi. Që nga marrja e detyrës si shef i misionit konsullor në Cyrih, Vigan Berisha ka sjellë një frymë të re në aktivitetet e Konsullatës, duke e kthyer atë edhe në një qendër të gjallë kulturore për diasporën shqiptare. Nën drejtimin e tij, kanë nisur organizime të shumta të promovimeve të librave nga autorë të ndryshëm, jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga të gjitha trevat shqiptare. Me një vizion të qartë për afrimin e komunitetit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, Konsullata po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një hapësirë të hapur për kulturë, dialog dhe kujtesë.
“Konsullata është shtëpia e shqiptarëve,” shprehet shpesh z. Berisha, duke theksuar se dyert e saj nuk duhet të jenë të hapura vetëm për shërbime administrative, por edhe për aktivitete që forcojnë lidhjet shpirtërore dhe kulturore të mërgatës. Në këtë frymë, ai ka bërë të mundur që këto aktivitete të organizohen edhe gjatë ditëve të pushimit, duke krijuar mundësi më të mëdha pjesëmarrjeje për bashkatdhetarët.

Aktiviteti nisi me një moment solemn – një minutë heshtje në nderim të mbi 370 civilëve shqiptarë të paarmatosur, të vrarë 27 vjet më parë në Mejë dhe Korenicë të Gjakovës, një nga masakrat më të rënda të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky akt përkujtimor krijoi një atmosferë reflektimi të thellë dhe respekti për martirët e kombit. Në qendër të mbrëmjes ishte promovimi i katër veprave të rëndësishme të Prof. Dr. Salih Krasniqi, të botuara nga Ramiz Tafilaj përmes shtëpisë botuese “Jalifat Publishing Houston” në SHBA. Këto libra trajtojnë në mënyrë të dokumentuar dhe të detajuar krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 në Kosovë, me një fokus të veçantë mbi pacientët dhe personelin shëndetësor – një aspekt shpesh i lënë në hije në historiografinë e luftës.
Titujt e promovuar përfshijnë:
- “Krimet Serbe në Kosovë (1998–1999): Rastet e pacientëve dhe personelit mjekësor në QKUK”
- “Krimet Serbe në Kosovë (1998–1999): Vrasja dhe zhdukja e 45 punëtorëve shëndetësorë shqiptarë”
- “Krimet Serbe në Kosovë (1998–1999): 120 pacientë të vrarë në Kirurgji dhe Ortopedi të Spitalit të Prishtinës”
- “Kirurgët Abdominalë në QKUK (1998–1999)”
Këto botime përfaqësojnë një kontribut të jashtëzakonshëm në dokumentimin e së vërtetës historike, duke ruajtur dëshmi autentike për një nga periudhat më të errëta të historisë së Kosovës. Përmes punës së tij të palodhur, Prof. Dr. Krasniqi jo vetëm që hedh dritë mbi krimet e kryera, por edhe nderon viktimat dhe sakrificën e profesionistëve shëndetësorë në kohë lufte. Gjatë mbrëmjes, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë fjalime përshëndetëse dhe reflektuese nga figura të njohura të komunitetit. Ndër ta ishin Prof. Dr. Alban Y. Neziri, përfaqësues i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër dhe veteran i luftës; shkrimtari dhe redaktori Muharrem Blakaj; Dr. Salih Sefa, ish konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih dhe veprimtar i çështjes kombëtare; si dhe botuesi Ramiz Tafilaj. Vetë autori, Prof. Dr. Salih Krasniqi, ndau me të pranishmit përvojat dhe motivimin që qëndron pas këtyre veprave.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte dëshmia e Naim Qufajt, i cili kishte qenë pacient gjatë kohës së luftës. Rrëfimi i tij i drejtpërdrejtë solli emocione të forta dhe e bëri edhe më të prekshme realitetin e asaj periudhe të dhimbshme. Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedonin me autorin, të ndanin mendime dhe të reflektonin mbi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike. Ky takim shërbeu jo vetëm si promovim librash, por si një hapësirë dialogu dhe ndërgjegjësimi kolektiv. Kjo mbrëmje dëshmoi edhe një herë rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptare në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në përcjelljen e së vërtetës historike te brezat e rinj. Përmes aktiviteteve të tilla, kujtesa kolektive mbetet e gjallë dhe shërben si bazë për ndërtimin e së ardhmes.

Në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, u shpreh mirënjohje e thellë për të gjithë pjesëmarrësit – veçanërisht familjarët e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës, përfaqësuesit e shoqatave, mediave, ansambleve dhe gjithë bashkatdhetarët që nderuan këtë mbrëmje me praninë e tyre. Një mbrëmje që nuk ishte vetëm përkujtim, por një thirrje e fuqishme për të mos harruar kurrë, transmton helveticALForum.ch
Foto nga Afrim Art, Daut Luboja




