Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Republikës së Moldavisë, Mihai Popșoi, në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit.
Në një postim në platformën X, Hoxha e cilësoi takimin si një mundësi të vyer për shkëmbim pikëpamjesh dhe vlerësimesh mbi angazhimin aktiv të Shqipërisë dhe Moldavisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se Shqipëria mbetet e gatshme të ndajë përvojën e saj dhe ta bëjë këtë sa herë që është e dobishme, në frymën e miqësisë dhe partneritetit të ngushtë mes dy vendeve.
“Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të ndarë përvojën e saj dhe për të vijuar ta bëjë këtë sa herë që është e dobishme, në frymën e miqësisë dhe partneritetit të ngushtë mes vendeve tona, si vende partnere sot dhe anëtare të ardhshme të Bashkimit Europian” shkroi Hoxha.
Ministri shqiptar nënvizoi gjithashtu se zgjerimi i BE-së është një investim strategjik për sigurinë e kontinentit, duke kontribuar në ndërtimin e një Europe më të bashkuar, më të qëndrueshme dhe më rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.
“Ne e konsiderojmë zgjerimin si një investim strategjik për sigurinë e Europës dhe për ndërtimin e një kontinenti më të bashkuar, më të qëndrueshëm dhe më rezistent ndaj sfidave të së ardhmes“, transmeton rtsh.




