Ksamili po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj edhe gjatë pranverës, duke konfirmuar rritjen e interesit për rivierën shqiptare përtej sezonit tradicional veror. Me ujërat kristal të Jonit, plazhet me rërë të bardhë dhe klimën e butë, kjo zonë po shndërrohet në një destinacion të preferuar për vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Sipas një vëzhgimi të ATSH-së, sezoni turistik në Ksamil duket se ka nisur më herët këtë vit. Që prej fillimit të muajit prill, prania e turistëve ka sjellë gjallëri të re për bizneset lokale. Restorantet, baret dhe strukturat akomoduese kanë nisur përgatitjet intensive për verën, ndërsa raportohen edhe rezervime të hershme. Vizitorët e huaj vlerësojnë jo vetëm natyrën, por edhe ushqimin tradicional, mikpritjen dhe qetësinë që ofron kjo periudhë e vitit. Një familje britanike me dy fëmijë u shpreh se eksperienca në Ksamil i ka tejkaluar pritshmëritë, duke e cilësuar vendin fantastik dhe shumë të bukur për pushime familjare. Edhe turistë nga Lituania thanë se do të rikthehen sërish për të eksploruar më shumë jugun dhe veriun e Shqipërisë, ndërsa dy të rinj nga Brazili deklaruan se vendi ynë u ka lënë shumë mbresa, madje duke e preferuar ndaj destinacioneve të tjera të njohura si Kroacia. Ata thanë se planifikojnë të rikthehen gjatë verës.
Një grup turistësh nga Galicia e Spanjës, që do të qëndrojnë rreth dy muaj në Shqipëri, thanë se ndihen si në shtëpi për shkak të ngjashmërive kulturore dhe natyrore mes rajonit të tyre dhe Shqipërisë. Ata vlerësuan peizazhin, traditat dhe autenticitetin e vendit.
Po ashtu, dy turiste nga Belgjika treguan se kishin planifikuar një vizitë të shkurtër, por tashmë po mendojnë ta zgjasin qëndrimin për shkak të mikpritjes, ushqimit cilësor dhe detit të pastër.
Me çmime konkurruese, klimë të favorshme dhe bukuri natyrore, Ksamili po forcon pozitat si destinacion turistik gjatë gjithë vitit, ndërsa jugu i Shqipërisë po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, transmeton KJone.




