POSTIMET E FUNDIT

MUZEU I KRAVATËS: KROATËT KANË NJË SIMBOL, NE ENDE PA MUZE TË DIASPORËS — KU ËSHTË FAJI?

Nga Dr.sci. Dashnim HEBIBI

Në zemër të qytetit të vjetër të Zarës, mes rrugicave me kalldrëm dhe trashëgimisë së ruajtur me fanatizëm, gjendet një hapësirë që në pamje të parë mund të duket modeste: Muzeu i Kravatës. Por ajo që përfaqëson është shumë më e madhe se përmasat e tij fizike. Është një dëshmi e qartë se si një komb mund të marrë një element modest të identitetit të vet dhe ta kthejë në simbol global, në krenari kombëtare dhe në instrument të fuqishëm të diplomacisë kulturore.

Screenshot

Kravatën, që sot konsiderohet pjesë universale e veshjes formale, kroatët e kanë kthyer në histori, në rrëfim dhe në identitet. Ata nuk e kanë lënë këtë simbol të shpërndahet në anonimitet. E kanë institucionalizuar, e kanë ruajtur dhe e kanë promovuar. Dhe pikërisht këtu lind kontrasti që të godet: çfarë kemi bërë ne me një nga asetet tona më të mëdha — diasporën?

I mashtrojmë me ndoj samit…?

Të marim shembull shtetin mik të kombit tonë, Kroacinë ! Shqiptarët kanë një nga diasporat më të gjera dhe më me ndikim në raport me popullsinë. Nga Evropa në Amerikë, nga biznesi te shkenca, nga arti te politika, kontributi i saj është i pamohueshëm. Diaspora ka qenë shtyllë ekonomike në momentet më të vështira, ka qenë zë politik kur vendi kishte nevojë për përfaqësim dhe ka qenë mbështetje e vazhdueshme për familjet dhe zhvillimin lokal.

Dhe megjithatë, kjo histori mbetet e paorganizuar, e fragmentuar dhe shpesh e padokumentuar në mënyrë institucionale. Prej vitesh është hedhur ideja që e kam edhe nëpër shkrime për krijimin e një Muzeu të Diasporës në Prishtinë. Një projekt që nuk synon vetëm të mbledhë objekte apo fotografi, por të ndërtojë një narrativë të plotë: historinë e migrimit, sfidat e integrimit, sukseset individuale dhe kolektive, si dhe ndikimin e diasporës në formësimin e identitetit modern shqiptar.

Një muze i tillë do të ishte shumë më tepër se një hapësirë ekspozimi. Ai do të ishte një qendër studimore, një platformë edukative për brezat e rinj dhe një urë konkrete lidhëse mes atdheut dhe diasporës. Do të ishte një vend ku historia nuk vetëm ruhet, por edhe kuptohet, analizohet dhe shfrytëzohet për të ndërtuar të ardhmen.

Screenshot

Por pse kjo ide nuk ka marrë ende jetë?

Përgjigjja është e pakëndshme, por e njohur: mungesë vizioni dhe një kulturë institucionale që shpesh nuk i vlerëson idetë në kohën e duhur. Në vend që iniciativat të mbështeten dhe të zhvillohen, ato shpesh injorohen, relativizohen ose lihen të zbehen derisa të humbasin momentumin.

Kjo nuk është thjesht neglizhencë.

Është një simptomë e një problemi më të thellë shoqëror: dominimi i mendësive të ngushta, ndikimi i interesave personale dhe një prirje për ta parë suksesin e tjetrit si kërcënim, jo si mundësi bashkëpunimi.

Në një ambient të tillë, meritokracia zëvendësohet nga jaranallëku, ndërsa idetë e mira mbeten në letër.

Dhe kjo ka pasoja reale. Sepse çdo ide e parealizuar është një mundësi e humbur. Çdo projekt i lënë në sirtar është një hap i munguar drejt zhvillimit. Në rastin e Muzeut të Diasporës, humbja është edhe më e madhe: është humbje e kujtesës kolektive, e identitetit dhe e një potenciali të jashtëzakonshëm për ndërtim të imazhit ndërkombëtar.Nëse kroatët kanë arritur të ndërtojnë një narrativë globale rreth një objekti si kravata, ne kemi në duar një histori shumë më të pasur dhe shumë më të fuqishme — por të pashfrytëzuar.

Është e rëndësishme të theksohet: realizimi i një ideje është më i rëndësishëm se autorësia e saj. Nëse dikush nesër e merr këtë projekt dhe e bën realitet, ai duhet përshëndetur. Sepse në fund, një Muze i Diasporës nuk i përket një individi — i përket një kombi të tërë.

Screenshot

Por kjo nuk duhet të na qetësojë. Sepse problemi mbetet: pse duhet të presim gjithmonë që idetë të “rishpikën” në vend që të mbështeten kur lindin?

Një shoqëri që nuk dëgjon, që nuk mbështet dhe që nuk fuqizon profesionistët e vet, është e dënuar të mbetet në vendnumëro. Nuk mjafton të flasim për zhvillim — duhet ta ndërtojmë atë me vendime konkrete dhe me projekte që kanë peshë.

Muzeu i Diasporës është një test i thjeshtë, por domethënës: a jemi në gjendje të vlerësojmë atë që kemi dhe ta kthejmë në vlerë të qëndrueshme?

Koha për diskutime të pafundme ka kaluar. Nuk kemi më luksin e pritjes. Sepse sa më shumë që vonojmë, aq më shumë largohemi nga vetja jonë.

Dhe pyetja mbetet e njëjtë, gjithnjë e më e rëndë: nëse e dimë ku është faji, pse ende nuk veprojmë?

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB