
Nga Beqir SINA, New York
Më 10 Prill 2026, në Nju Jork, një grup aktivistësh shqiptaro-amerikanë dhe banorë të Baks-Rrjollit që jetojnë në SHBA, organizuan një protestë paqësore para Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj proteste ishte të shprehnin mbështetje për banorët e zonës së Velipojës, të cilët prej muajsh po luftojnë për të mbrojtur pronat e tyre të trashëguara.
Protesta u organizua nga aktivistë të komunitetit, duke përfshirë figura të njohura si Mark Qehaja.
Aty morën pjesë edhe të rinj e të reja që u bashkuan me moton: “Zëri ynë ka nevojë për unitet dhe forcë”.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe të qarta: “Pa drejtësi për pronën – nuk ka shtet”, “Tokat tona nuk janë për mafien”, “Stop property theft”, “SPAK: Drejtësi për pronat e Rrjollit” dhe “Nxirrni jashtë zaptuesit”.
Në fjalën e tij, aktivisti Mark Qehaja shprehu dyshime të thella për “Paketën e Maleve”, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që fsheh tentativa për të rrëmbyer tokat e banorëve vendas.
“Kjo paketë u shërben oligarkëve dhe atyre që ndihmuan në ardhjen e pushtetit aktual”, tha ai. Qehaja akuzoi drejtëpërsëdrejti kryeministrin Rama, duke i kujtuar atij takimet politike në Beograd, me pasuesin e Millosheviqit – Akeksandër Vuçiçin, “Rama me veprime të tilla që bien ndesh me interesat kombëtare, dhe që po dëmtojnë unitetin dhe besimin e shqiptarëve kudo që janë, i ka tradhëtuar interesat e shqiptarve kudo.”
Në fund aktivisti Mark Qehaj bëri një thirrje të gjithë shqiptarve kudo jané që të mbështesin banorët e Rrijollit, motrat e vëllezërit në protestat e tyre, për qëndrimin trimëror dhe fisnik kundrejt kësaj “makinerie” shkatërruese të vendit tonë”, si e quajti ai. Duke bër edhe një thirrje policisë, që të ndalet me ndërhyrjet e tyre, duke përdorur forcën ndaj banorve të Bask – Rrjollit.
Një protestuese me origjinë nga zona u shpreh emocionuese duke thënë se : “Ne po protestojmë sepse na merret padrejtësisht prona e trashëguar nga të parët tanë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se drejtësinë tonë bazë: të jetojmë të lirë në tokat tona,” tha ajo. Gjatë protestës, e cila zgjati më shumë se një orë, folën edhe disa banorë të Rrjollit dhe mbështetës të tyre. Ata dënuan çdo formë dhune ndaj protestuesve në Shqipëri dhe bënë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve, veçanërisht SPAK-ut, për të hetuar pretendimet e uzurpimit të pronës.
Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente, duke demonstruar pjekuri dhe vendosmëri. Mesazhi qendror ishte i thjeshtë por i fuqishëm: mbrojtja e pronës private është themeli i një shteti të së drejtës. Pa respekt për të drejtat e pronarëve, nuk mund të ketë besim tek institucionet apo zhvillim të qëndrueshëm.
Kjo protesté në Nju Jork, tregojë se zëri i banorëve të Baks-Rrjollit po gjen jehonë edhe në diasporë. Por mbetet e dyshimtë se a do të dëgjohet kjo thirrje për drejtësi në Tiranë?
Protesta po ashtu tregojë se uniteti midis atdheut dhe diasporës mund të bëjë ndryshimin vendimtar në vendlindjen tonë./BS




