Kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar konstruktiv takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se tri javët e mbetura do të shfrytëzohen për përpjekje drejt gjetjes së një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit të ri. Megjithatë, e ka pranuar se nuk ka lëvizje të reja, por ka thënë se me takime të tilla mund të arrihet deri te marrëveshja. “Çështja kryesore që u diskutua, por jo edhe e vetmja, ishte fakti që na kanë mbetur edhe tri javë deri te zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimizojmë përpjekjet. Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Atmosfera konstrkutive dhe dashmirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja më bën optimist për këto tri javët e mbetura. Uroj që të mos i shrytëzojmë deri në ditën apo orën e fundit, siç është bërë zakon”, tha Kurti pas takimit me Abdixhikun.
Ai ka thënë se zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Është e vështirë të paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona me po të njëjtat zotime, të kërkojmë votën e qytetarëve për një rezultat që e dimë se nuk mund të jetë shumë ndryshe”, shtoi Kurti.
Ai e ka vlerësuar si sfidë tejet gjigante që një parti të ketë 80 deputetë dhe ta zgjedhë e vetme presidentin.
Kurti, ashtu sikurse Abdixhiku nuk ka dhënë detaje nga takimi.
“Ne jemi udhëheqës të subjekteve demokratike dhe jemi transparent sa i përket procesit, por ne duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve. Në momentin kur bisedimet sjellin rezultat konkret mund të përgjigjemi për të arriturat. Por përderisa ky nuk është rasti nuk mund të flasim për emra të përveçëm”, theksoi Kurti.
Ai tha se vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë se për një emër të përveçëm duhet një shumicë prej 84 apo 85 deputetë, e jo të synohet 80 apo 81 deputetë.
“Vetëm një shumicë prej 84 e 85 deputetëve do të na bënte komod. Edhe më tutje besoj se numri 80 apo 81 nuk është caku ynë për të ecur përpara, është më shumë se aq. Duhet të synojmë deri në ditën e fundit jo 81 por 84 apo 85 deputetë”, tha Kurti.
Ai tha se do të përpiqet të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, pasi sipas tij presidenti nuk do të jetë i një apo dy partie./BS




