Pas suksesit të arritur në vitin 2024 nga Kjara Ibraj, një tjetër lezhjane do të përfaqësojë Shqipërinë në Sanremo Junior, që do të zhvillohet në mesin e muajit prill në Itali.
Ajo është 12-vjeçarja Ambra Marku, nxënëse e shkollës “Besëlidhja”, e cila do të konkurrojë me këngën “Valsi i Dashurisë” të ikonës shqiptare Vaçe Zela.
Për Markun, pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar ka qenë një ëndërr e saj, të cilën nuk e kishte menduar se do ta arrinte.
“Në Sanremo Junior ishte një ëndërr që u bë realitet. Nuk e prisja fare që të kaloja tek ky konkurs. Më erdhi si surprizë, por kur e mora vesh, u emocionova shumë.”
Përfaqësimi i Shqipërisë përmes këngëtareve nga Lezha për të dytën herë në këtë konkurs tregon se ky qytet ka talente në fushën e muzikës, thotë mësuesja Albana Përvathi.
“Në fakt është fat i madh për qytetin tonë, por edhe për Shqipërinë, që edhe këtë vit ne përfaqësohemi si qytet, si Lezhë, por edhe si vend, me emrin Ambra Marku. Specifika e këtij viti është që Ambra shkon me një këngë shqiptare, shkon me ‘Valsi i Dashurisë’, këngë e të madhes Vaçe Zela.”
Ambra Marku e ka nisur rrugëtimin muzikor që në moshën 6-vjeçare dhe që prej asaj kohe ka marrë mbi 40 çmime të ndryshme në aktivitetet e organizuara brenda vendit. Ajo synon të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë edhe në Sanremo Junior, i cili këtë vit shënon 17-vjetorin e tij dhe do të mbahet më 14 prill në Ariston Theatre./N. Spahiu, transmeton rtsh.




