POSTIMET E FUNDIT

Protesta e studentëve shqiptarë në RMV, Hoxha: Përdorimi i gjuhës amtare, e drejtë themelore

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha ka reaguar lidhur me protestën e studentëve shqiptarë të universiteteve në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Në një postim në X, Ministri Hoxha e ka cilësuar përdorimin e gjuhës amtare si një të drejtë themelore të garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.

E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme”, shkruan ai.

Ministri theksoi se institucionet duhet të gjejnë zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme, duke e trajtuar çështjen me maturi dhe larg çdo politizimi.

Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore. Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve. Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”, theksoi Hoxha, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB