Mesha solemne e Pashkëve në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë sonte përcolli mesazhe të fuqishme për paqe, nën udhëheqjen e Ipeshkvit Dodë Gjergji.
Kjo festë e rëndësishme për besimtarët katolikë u shoqërua me thirrje për reflektim shpirtëror, dashuri dhe pajtim, si dhe për ripërtëritje të shpresës në mesin e familjeve shqiptare.
Në fjalën e tij, Ipeshkvi Gjergji u bëri thirrje liderëve politikë në vend që të tregojnë përgjegjësi në ushtrimin e detyrave të tyre, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.
Po ashtu, ai u lut për ndaljen sa më të shpejtë të luftërave në botë dhe për mbizotërimin e paqes dhe qetësisë.
“I ftojmë edhe autoritetet politike të vendit tonë që të jenë më të ndërgjegjshëm për kohën të cilën jetojmë, por më të përgjegjshëm për detyrat dhe përgjegjësitë që të ruhet stabiliteti dhe siguria ashtu që të gjithë të kenë aftësinë, guximin dhe zotësinë për dialog me njeri-tjetrin dhe të respektojmë të kaluarën sikur që duhet të ndërtohet e ardhmja…Ta kujtojmë (të lutemi për paqe) paqen në botë. Dashtë Zoti që sa më parë të ndalohet zhurma dhe krisma e armëve që të ngadhënjejë qetësia”, theksoi Dodë Gjergji.
Pashkët janë festa më e rëndësishme e krishterimit, që simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe përçon mesazhe shprese, ripërtëritjeje dhe jete të re. Në Kosovë, kjo festë shënohet çdo vit me meshë solemne dhe pjesëmarrje të madhe të besimtarëve, duke reflektuar rëndësinë e saj shpirtërore dhe shoqërore./BS




