
Nga Dashnim HEBIBI, Zürich
Prishtinë, 03 prill 2026 – Zakonisht, kur marrim lajme të tilla që rinia jonë po korr suksese në tempuj të ndryshëm të dijes, është një arritje e madhe, frymëzuese dhe shpeshherë e papërshkrueshme me fjalë. Këto janë momentet që jo vetëm i japin krenari familjeve, por edhe gjithë shoqërisë sonë, duke dëshmuar se potenciali dhe përkushtimi i të rinjve shqiptarë nuk njeh kufij.

Disa ditë më parë, konkretisht më 26 mars, siguruam një lajm tejet të veçantë dhe domethënës, konkretisht nga babai i Klevisit, Luigji – një personalitet i njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Ai ndau me familjarë dhe miq lajmin e madh, duke theksuar se investimi i tij dhe i bashkëshortes ka qenë gjithmonë i përqendruar në edukimin dhe rrugëtimin e suksesshëm të fëmijëve të tyre. Sot, ata po e shohin këtë përkushtim të shpërblehet me rezultate konkrete, duke fituar respekt dhe admirim si për vajzën, ashtu edhe për djalin e tyre. Vetëm pak ditë më parë, Klevisi përfundoi me sukses studimet e tij në Budapest, duke dëshmuar edhe një herë nivelin e tij të lartë akademik. Por lajmi që e bëri këtë arritje edhe më të madhe është pranimi i tij në një nga universitetet më prestigjioze në botë – ETH Zurich, në qytetin e Zurich për studime pasdiplomike. Ky sukses i jashtëzakonshëm u prit me shumë gëzim dhe krenari nga të gjithë ne.

Me të marrë këtë lajm, Luigji, me shpirtin e tij bujar dhe mikpritës, dëshiroi ta ndajë këtë gëzim me bashkëkombësit e tij në Kosovë. Ai organizoi një takim të veçantë në një lokal shumë të mirë në Prishtinë, ku nuk munguan pijet, ushqimi dhe mbi të gjitha atmosfera festive.
Siç u shpreh edhe vetë ai: “Jetën e shkrij për dije dhe jam shumë i lumtur”, duke dëshmuar filozofinë e tij të jetës dhe rëndësinë që i kushton arsimit.
Luigji, dikur student në Tiranë, ka qenë gjithmonë shembull i përkushtimit dhe suksesit, duke përfunduar studimet e tij me rezultate të larta në Shqipëri. Sot, ai e sheh të njëjtën rrugë suksesi të reflektuar te djali i tij, Klevisi.

Në një deklaratë emocionuese, ai u shpreh:
“Sot është edhe një tjetër ditë krenarie e veçantë për familjen tonë dhe për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e dijes. Djali ynë, Klevis Imeri, është pranuar në programin Master për Computer Science në një nga universitetet më prestigjioze në botë – ETH Zurich. Ky sukses nuk erdhi rastësisht. Ai është rezultat i një rruge të gjatë me përkushtim, disiplinë dhe sakrificë, i vulosur me rezultate të shkëlqyera akademike dhe arritje shkencore.
Pranimi në ETH Zurich nuk është vetëm një hap i madh personal për Klevisin, por një dëshmi se edhe të rinjtë tanë nga Kosova, me punë dhe përkushtim, mund të arrijnë që të bashkohen me majat e elitës së dijes botërore. Ky është një moment që na mbush me krenari, por edhe me përgjegjësi – që rruga e nisur të vazhdojë me po të njëjtin seriozitet dhe përkushtim.”
Ky sukses i Klevisit përfaqëson shumë më tepër sesa një arritje individuale – ai është një simbol shprese dhe frymëzimi për të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen. Ai dëshmon se me punë të palodhur, disiplinë dhe besim në vetvete, është e mundur të arrihen majat më të larta të dijes globale.

Jo rastësisht, Klevisi ka zgjedhur që studimet pasdiplomike t’i vazhdojë në Zvicër.
Për shumë shqiptarë, Zvicra konsiderohet si një atdhe i dytë, ku jetojnë dhe kontribuojnë mbi 300,000 bashkëkombës tanë. Ky vend ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim akademik dhe profesional, duke qenë një ndër qendrat më të rëndësishme të inovacionit dhe shkencës në botë.

Ndërkohë që muaji shtator po afrohet, emocionet rriten dhe pritja bëhet gjithnjë e më e madhe. Ne presim me padurim që Klevisi të nisë këtë kapitull të ri të jetës së tij, me bindjen e plotë se ai do të shkëlqejë dhe do të bëhet një shkencëtar i së ardhmes, duke përfaqësuar denjësisht vlerat dhe potencialin e rinisë sonë.
Suksese të mëdha në këtë rrugëtim të ri, Klevis! Rruga jote është dhe do të mbetet një frymëzim për shumë të rinj të tjerë. Suksese!




