POSTIMET E FUNDIT

Darling Vlora në Bujanoc – një amanet i përmbushur – vizitë historike në gjurmët e Ismail Qemalit

Nga Dashnim HEBIBI, Bujanoc

Gjurmë historie dhe bashkimi kombëtar në Bujanoc

E premtja e 27 marsit shënoi një nga ato ditë që rrallë përsëriten në historinë e një treve. Bujanoci pati nderin të mirëpresë për herë të parë një pasardhës të drejtpërdrejtë të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Vizita e Darling Vlorës, e shoqëruar nga nipi i tij Igli Vlora, publicisti i njohur Arsim Mulliqaj, si dhe me ftesë të Dr. Dërgut Aliut, mori përmasa të veçanta historike dhe emocionale për shqiptarët e kësaj ane. 

Pas qëndrimit në Preshevë, delegacioni vazhdoi rrugën drejt Bujanocit, ku që në hyrje u ndje atmosfera e një pritjeje të rrallë.

Kryetari i komunës, Arbër Pajaziti, së bashku me shefen e kabinetit Albulena Beqiri dhe nënkryetarin Levent Qazimi, kishin dalë personalisht për t’i pritur mysafirët. Përqafimet, buzëqeshjet dhe respekti i ndërsjellë dëshmonin më shumë se çdo fjalë lidhjen shpirtërore që bashkon shqiptarët, pavarësisht kufijve administrativë. Në këtë vizitë, krahas Darling dhe Igli Vlorës, morën pjesë edhe personalitete të njohura si Dr. Dërgut Aliu, pronar i spitalit “Lindja” në Prishtinë, veprimtari Rafet Ademi nga Tërnoci që jeton në Zvicër, PhD Dashnim Hebibi, si dhe publicisti Arsim Mulliqaj, i cili me praninë dhe angazhimin e tij i dha kësaj vizite edhe dimensionin e dokumentimit dhe pasqyrimit publik.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, në fjalën e tij të plotë u shpreh:

“Ishte një kënaqësi e veçantë për mua që të pres në Bujanoc Darling Vlorën, pasardhësin e denjë të Ismail Qemalit (Ismail Bej Vlorës). Prania e tij përfaqëson vazhdimësinë e rrënjëve të një prej figurave më të mëdha të historisë sonë kombëtare, themeluesit të shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe njeriut që ngriti flamurin tonë kombëtar më 28 Nëntor të atij viti. 

Vizita e Darling Vlorës ngjall emocione të veçanta dhe forcon ndjenjën e përkatësisë dhe të kontinuitetit në përpjekjet për të sendërtuar aspiratat e kombit tonë.Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, pata nderin ta dekoroj me një Dekoratë Nderi, si një frymëzim për brezat e rinj dhe si një dritë e gjallë e frymës sonë kombëtare. 

Figura si ajo e Darling Vlorës, por edhe shumë të tjera që bartin trashëgiminë e themeluesve të shtetit, meritojnë të nderohen sa herë që na jepet mundësia. Vetëm duke i kujtuar dhe vlerësuar këto figura, ne ruajmë dhe forcojmë vlerat tona më sublime kombëtare.”

Nga ana e tij, Darling Vlora u shpreh thellësisht i prekur nga mikpritja:

“Kam dëgjuar shumë për këto treva dhe sot ndjej sikur jam në shtëpinë time. Këtu kam miq dhe njerëz që më japin ndjesinë e Vlorës. Ju uroj të jeni gjithmonë të bashkuar dhe të fortë në kërkesat tuaja të drejta.”

Bashkëbisedimi mes të pranishmëve ishte i hapur dhe i sinqertë, duke përfshirë edhe diskutime për situatën aktuale politike dhe ekonomike në Luginën e Preshevës. Në këtë kontekst, u theksua nevoja për më shumë unitet dhe angazhim për të ardhmen e shqiptarëve në këto treva. 

Pas takimit në komunë, delegacioni vizitoi fshatin Tërnoc, një vend me histori dhe kontribute të rëndësishme kombëtare. Aty u ndalën për një minutë heshtje pranë varrit të Komandant Lleshit, duke nderuar sakrificën dhe kujtimin e tij.

Më pas, një shëtitje nëpër fshat solli emocione të veçanta, duke rikthyer kujtime dhe duke forcuar ndjenjën e përkatësisë. Vizita vijoi me një drekë tradicionale në restorantin “Boheme” të Dr. Dërgut Aliut në Bujanoc, ku mikpritja shqiptare u shfaq në formën më të bukur. Ushqimet tradicionale dhe atmosfera e ngrohtë krijuan një ambient ku bisedat vazhduan natyrshëm, duke forcuar lidhjet mes të pranishmëve. Gjatë kthimit për në Kosovë, Dr. Dërgut Aliu dhe Rafet Ademi i shoqëruan mysafirët nëpër fshatrat përreth, duke i njohur me historinë dhe realitetin e kësaj zone. Një moment tepër emocional ishte kalimi nëpër fshatin Konçul, ku flamuri kombëtar valëvitej krenar në çdo shtyllë, duke lënë mbresa të pashlyeshme.

Në fund të kësaj vizite, Darling Vlora shprehu ndjenjat e tij me fjalë të thjeshta, por domethënëse:

“Sot kam përmbushur një amanet të stërgjyshit tim. Kjo vizitë do të mbetet përgjithmonë në zemrën time.”

Kjo ngjarje nuk ishte vetëm një vizitë protokollare, por një moment i fuqishëm simbolik që forcon lidhjet kombëtare dhe rikujton rëndësinë e trashëgimisë historike. Prania e figurave si Darling Vlora dhe angazhimi i publicistit Arsim Mulliqaj e bëjnë këtë vizitë një dëshmi të gjallë të vazhdimësisë së identitetit dhe aspiratave shqiptare. Bujanoci, në këtë ditë të veçantë, nuk ishte vetëm një qytet pritës, por një vatër emocioni, historie dhe shprese për të ardhmen.

Në përmbyllje, vizita e Darling Vlorës në Bujanoc nuk ishte thjesht një ngjarje e zakonshme apo një takim protokollar, por një moment i rrallë që preku thellë zemrat e njerëzve dhe riktheu gjallërisht kujtesën historike të një kombi. Prania e një pasardhësi të drejtpërdrejtë të Ismail Qemalit në këtë trevë shqiptare solli jo vetëm krenari, por edhe një ndjenjë të fortë lidhjeje shpirtërore me rrënjët tona. Kjo vizitë u përjetua si një rikthim simbolik në histori, si një urë që bashkon të kaluarën me të tashmen dhe të ardhmen.

Në çdo përqafim, në çdo fjalë të shkëmbyer dhe në çdo emocion të ndarë, u ndje qartë dashuria për kombin dhe dëshira për unitet. Ishte një ditë ku nuk flitej vetëm me fjalë, por me ndjenja të thella që burojnë nga përkatësia dhe identiteti ynë i përbashkët. Fjalët e Darling Vlorës, të thjeshta por plot kuptim, dhe mikpritja e ngrohtë e bujanocasve dëshmuan se kjo trevë mbetet e lidhur fort me trungun kombëtar. Ndërsa kujtimet e kësaj vizite do të mbeten gjatë në zemrat e atyre që e përjetuan, mesazhi që ajo përcolli është edhe më i fuqishëm: shqiptarët, kudo që janë, mbeten një. 

Kjo ditë nuk ishte vetëm një kujtim i bukur, por një thirrje për bashkim, për respekt ndaj historisë dhe për përkushtim ndaj së ardhmes.

Një amanet i përmbushur, por edhe një amanet i ri që u lind – që brezat e sotëm dhe të nesërm ta ruajnë, ta forcojnë dhe ta çojnë përpara këtë lidhje të shenjtë kombëtare. / Foto nga Isa Ismaili

P.S;

Pas pak do të lexoni se si u mirëprit Darling Vlora në spitalin “LINDJA” në Prishtinë, pronë e Dr. Dërgut Aliu.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB