Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar të mërkurën se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”. Ambasada u bëri thirrje qytetarët amerikanë në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”. Në një njoftim, Ambasada tha se grupet e lidhura me Iranin “gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”. Ndërkohë Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare i tha Radios Evropa e Lirë se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.
Ajo shtoi se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja. Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në përgjigjen e agjencisë, transmeton abcnews.




