POSTIMET E FUNDIT

Mungesa e vezëve në Zvicër: Importet rriten për të përballuar kërkesën në prag të Pashkëve

Në prag të festës së Pashkët, kur konsumi i vezëve arrin kulmin, Zvicra po përballet sërish me një problem të njohur: kërkesa e lartë për vezë nuk po mund të përmbushet nga prodhimi vendas. Për këtë arsye, autoritetet federale kanë vendosur të rrisin ndjeshëm importet, duke shtuar kontingjentin me 15 mijë tonë për vitin aktual. Sipas të dhënave zyrtare, në total do të lejohen rreth 36 mijë tonë vezë të importuara gjatë vitit. Kjo masë synon të shmangë mungesat në treg, sidomos në periudha kritike si ajo e festave, kur kërkesa rritet ndjeshëm. Pjesa e parë e importit do të lirohet në fillim të majit, ndërsa një pjesë e dytë në shtator, transmeton 20min.ch. Rritja e konsumit të vezëve në Zvicër është një fenomen që vazhdon prej dekadash. Vetëm në vitin 2025, në treg kanë qarkulluar rreth 1.9 miliardë vezë. Ndërkohë, prodhimi vendas ka arritur në 1.2 miliardë vezë, duke shënuar një rritje prej afro 7% krahasuar me vitin paraprak. Megjithatë, kjo rritje mbetet e pamjaftueshme përballë një kërkese që është rritur me 11%.

Një tjetër tregues i qartë i këtij trendi është konsumi për frymë: për herë të parë, çdo banor në Zvicër ka konsumuar mbi 200 vezë në vit. Kjo përfaqëson një rritje të konsiderueshme dhe tregon ndryshimet në zakonet ushqimore të popullsisë, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch. Ekspertët theksojnë se faktorë të ndryshëm kanë ndikuar në këtë rritje, përfshirë rritjen e interesit për dieta të pasura me proteina dhe përdorimin më të madh të vezëve në industrinë ushqimore. Nga ana tjetër, prodhuesit vendas përballen me kufizime strukturore, si hapësira e kufizuar bujqësore dhe kostot e larta të prodhimit. Në këtë situatë, importet mbeten një zgjidhje e domosdoshme për të garantuar furnizimin e tregut. Megjithatë, debati mbi vetë-mjaftueshmërinë ushqimore dhe mbështetjen e prodhimit vendas pritet të intensifikohet në vitet në vijim. Në fund, mbetet për t’u parë nëse “lepuri i Pashkëve” do të arrijë t’i plotësojë pritshmëritë këtë vit – por një gjë është e sigurt: kërkesa për vezë në Zvicër nuk po njeh kufij, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB