POSTIMET E FUNDIT

Rritje e çmimeve të transportit publik në Zvicër nga dhjetori 2026

Nga dhjetori i vitit 2026, udhëtarët në Zvicër do të përballen me çmime më të larta për transportin publik. Sipas njoftimit të Aleancës SwissPass, tarifat e biletave dhe abonimeve do të rriten mesatarisht me rreth 3.9 për qind. Kjo rritje vjen si pasojë e ndryshimeve në kushtet ekonomike dhe kostove në rritje për sektorin.

Përfaqësuesit e sektorit theksojnë se vendimi është marrë pas një analize të kujdesshme, duke e konsideruar si një hap të domosdoshëm për të ruajtur cilësinë e shërbimeve dhe për të garantuar investime afatgjata në transportin publik. “Rritjet e çmimeve janë gjithmonë një temë e ndjeshme për qytetarët, por janë të nevojshme për të siguruar vazhdimësinë dhe zhvillimin e sistemit,” u shpreh kryetari i këshillit strategjik, Marco Lüthi, transmeton 20min.ch. Arsyet kryesore të kësaj rritjeje lidhen me inflacionin që nga fundi i vitit 2023, si dhe me shtimin e kostove për materiale, personel dhe energji. Përveç faktorëve ekonomikë, ndikim kanë pasur edhe vendimet politike, përfshirë heqjen e rimbursimit të taksës së naftës nga viti 2027 dhe kufizimet në financimin e transportit rajonal të pasagjerëve.

Megjithatë, jo të gjitha kategoritë do të preken njësoj. Çmimet për fëmijë, të rinj dhe familje do të rriten shumë pak ose nuk do të ndryshojnë fare. Ndërkohë, abonimi i përgjithshëm (GA) pritet të shtrenjtohet më shumë krahasuar me biletat e zakonshme. Abonimi me gjysmë çmimi (Halbtax) do të rritet me 5 franga, ndërsa disa bileta për biçikleta dhe kafshë do të pësojnë gjithashtu ndryshime. Detajet e plota të çmimeve të reja pritet të publikohen në pranverën e vitit 2026, ndërsa hyrja në fuqi do të bëhet me ndryshimin e orarit të transportit në dhjetor të po atij viti. Kjo rritje ka nxitur diskutime të shumta në publik, ku disa e konsiderojnë të justifikuar për shkak të rritjes së përgjithshme të kostove, ndërsa të tjerë shqetësohen për përballueshmërinë e transportit publik për të gjithë qytetarët, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB