POSTIMET E FUNDIT

Pasardhësi i Ismail Qemalit viziton Kosovën dhe Luginën e Preshevës, zhvillon takime të rëndësishme

Prishtinë, 30 mars – Nga data 27 deri më 29 mars, në Kosovë qëndroi Darling Vlora, pasardhës i familjes së Ismail Qemalit, njëherësh studiues i njohur që jeton dhe vepron në Milano. Ai ishte i shoqëruar nga nipi i tij Igli, si dhe nga publicisti Arsim Mulliqaj.

Gjatë qëndrimit dyditor, delegacioni zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme në Prishtinë, si dhe për herë të parë vizitoi edhe Luginën e Preshevës. Në këto troje shqiptare, ata u pritën me nderime të veçanta, ku përfaqësues të komunitetit shqiptar u ndanë mirënjohje në shenjë respekti dhe vlerësimi. Momentet e përjetuara u cilësuan si të veçanta dhe tejet emocionuese.

Vizita përfshiu edhe takime me drejtuesit e komunave të Preshevës dhe Bujanocit, ku u diskutuan çështje me rëndësi për shqiptarët e Luginës. Detaje më të hollësishme rreth këtyre takimeve pritet të bëhen publike në ditët në vijim.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, z. Vlora mori pjesë edhe në një ngjarje të rëndësishme për sistemin shëndetësor. Me ftesë të dr. Dergut Aliu, drejtor i Spitalit “Lindja”, ai ishte i pranishëm në një mbrëmje festive të organizuar me rastin e 30-vjetorit të themelimit të spitalit dhe 40-vjetorit të karrierës së dr. Aliut.

Në këtë mbrëmje morën pjesë shumë personalitete nga fusha të ndryshme, si dhe mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Programi u karakterizua nga një atmosferë festive dhe përmbajtje e pasur kulturore.

Po ashtu, gjatë aktivitetit u promovua edhe libri kushtuar jetës dhe veprës së dr. Dergut Aliu, një figurë e njohur në mjekësinë kosovare dhe më gjerë. Redaktor i librit ishte prof. dr. Xhavit Lipaj, ndërsa në promovim kontribuan edhe shumë bashkëpunëtorë dhe miq të doktorit.

Vizita e Darling Vlorës dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve u vlerësuan si një hap i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve kombëtare dhe në ruajtjen e trashëgimisë historike e kulturore shqiptare.

Për më shumë detaje rreth kësaj vizite dhe takimeve të zhvilluara, publiku do të njoftohet në vijim.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB