Nga Dahest LUMA, Budapest
Budapest, 25 mars 2026 – Një takim i veçantë dhe me rëndësi historike për kauzën kombëtare shqiptare u zhvillua dje pasdite në zyrat e filantropit dhe konsullit nderi të Shqipërisë në Hungari, z. Avni Hafuzi. Ky moment mori një dimension simbolik të veçantë kur libri kushtuar ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri, u dorëzua personalisht në duart e z.Hafuzi, duke përforcuar mesazhin e respektit dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve në mbarë botën.
Z. Hafuzi është një figurë e njohur për angazhimin e tij mbi gjashtë dekada në shërbim të çështjes kombëtare, duke mbajtur gjallë traditat, identitetin dhe kulturën shqiptare në Hungari. Ai ka hapur dyer të të gjitha mundësive për veprimtaritë kombëtare, kulturore, shkencore dhe humanitare, duke u bërë një urë lidhëse mes diasporës dhe atdheut me shtetit pritës e në këtë rast Hungaria. Në takim përpos PhD. Dashnim Hebibi si president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Zvicër, mori pjesë edhe njëri nga veprimtarët e shquar të diasporës shqiptare, z. Rafet Ademi, një personalitet i njohur i Lugina e Preshevës, themelues i disa shoqatave kulturore në Zvicër dhe kryesues i bordit të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Zvicër. Kjo vizitë synonte forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe shkencor në shërbim të kauzës kombëtare dhe të komunitetit shqiptar jashtë atdheut.
Gjatë takimit, i cili zgjati rreth dy orë edhe pse mysafirët ishin të lodhur nga rruga e gjatë mbi 11 orëshe ng Cyrihu për në Budapest, u diskutuan tema të ndryshme strategjike për zhvillimin e veprimtarive kulturore, shkencore dhe sociale të shqiptarëve në diasporë. Sa herë që të takohesh me z. Hafuzi mëson gjëra të reja për kombin tonë, na tha ndër të tjera, z.Hebibi. Si pjesë e vizitës, PhD Hebibi dhuroi dy libra të rinj të bashkautoruar me z. Florim Useini, ku janë përfshirë në njërin libër edhe reflektime nga vizita e tyre e mëparshme tek z. Hafuzi në Budapest. Njëri nga këta libra, kushtuar ambasadorit Demiri, u dorëzua personalisht tek z. Hafuzi, i cili e pranoi me emocion të thellë, duke vlerësuar përkushtimin dhe punën e autorëve ndërsa z.Hebibi përcolli përshëndetjet edhe të ambasadorit por edhe të z.Useini.
“Për ambasadorin Demiri kam lexuar dhe dëgjuar shumë, dhe kjo më gëzon. Ai është një unifikues dhe shumë i dashur për diasporën shqiptare, edhe për shkak të modestisë së tij,” tha z. Hafuzi, duke nënvizuar rëndësinë e lidershipit të tillë për bashkëpunimin mes komuniteteve shqiptare jashtë atdheut.
Takimi solli edhe një dimension miqësor dhe personal, ku diskutimet për kulturën, historinë dhe trashëgiminë shqiptare u shoqëruan me kujtime të veçanta dhe momente mirënjohjeje. Z. Hafuzi i ftoi miqtë e tij z.Hebibi dhe Ademi që të kontribuojnë edhe më tej në promovimin e aktiviteteve kulturore dhe shkencore dhe të vizitojnë Budapestin, qytetin ku trashëgimia e Skënderbeut, Sinës dhe veprimtaria kulturore shqiptare janë të ndritshme dhe të gjalla. Ky takim përfaqëson një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit midis atdheut dhe diasporës shqiptare, duke treguar se investimi në kulturë, shkencë dhe libra është një mjet i fuqishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar. Dorëzimi i librit kushtuar ambasadorit Demiri nuk është vetëm një akt simbolik, por edhe një mesazh i fortë për unitetin dhe bashkëpunimin mes shqiptarëve nëpër kontinente.
Takimi dhe dhurimi i librit do të mbeten një referencë e çmuar për veprimtarinë kombëtare dhe një nxitje për të gjithë ata që punojnë për kulturën, arsimin dhe historinë shqiptare jashtë vendit.




