POSTIMET E FUNDIT

Shqipëria dhe Kosova thellojnë partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin dypalësh

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një reagim publik në rrjetin social “X”, Hoxha e cilësoi takimin si shumë miqësor dhe theksoi se Kosova mbetet një prioritet i padiskutueshëm i politikës së jashtme shqiptare. Ai rikujtoi se këtë qëndrim ia ka bërë të qartë më herët edhe ministrit kosovar Glauk Konjufca.

Sipas Hoxhës, gjatë takimit u rikonfirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e partneritetit të veçantë Shqipëri–Kosovë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Ai nënvizoi se ky bashkëpunim do të konkretizohet përmes një koordinimi më të ngushtë institucional, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe avancimit të projekteve të përbashkëta strategjike.

Fokus i veçantë do t’u kushtohet sektorëve kyç si siguria, energjia, infrastruktura dhe arsimi, duke synuar krijimin e një hapësire më të integruar zhvillimi mes dy vendeve.

Në vijim, ministri Hoxha theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe përpjekjet e saj për integrim në strukturat euroatlantike. Ai e konsideroi këtë si një proces të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të gjithë rajonit, transmeton rtk, përcjell helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB