Nga Prof.dr. Skender Asani
Historia e kombit shqiptar është një trajektore e ndërlikuar midis mohimit dhe afirmimit, midis projektimit të jashtëm të fatit të tij dhe përpjekjes së brendshme për vetëvendosje; një histori që kulmon simbolikisht në 24 marsin e vitit 1999, kur ndërhyrja e NATO-s kundër regjimit të Serbisë shënoi jo vetëm një akt ushtarak me justifikim humanitar, por edhe një kthesë paradigmatike në rendin historik të Ballkanit. Për ta kuptuar këtë moment, duhet rikthyer në shekullin XIX, kur projektet hegjemoniste të tipit “Serbia e Madhe”, “Greqia e Madhe” dhe “Bullgaria e Madhe”, të mbështetura në mënyrë të tërthortë nga Rusia, synonin riformatimin e hartës politike të rajonit në kurriz të popujve më të vegjël. Këto projekte u konsoliduan përmes ngjarjeve kyçe si Beteja e Kumanovës dhe u legjitimuan pjesërisht në forume ndërkombëtare si Konferenca e Londrës dhe Konferenca e Versajës, ku fuqitë e mëdha shpesh imponuan zgjidhje kompromisi që prodhuan shtete të cunguar, si rasti i Shqipërisë.
Në këtë kontekst historik, ndërhyrja e vitit 1999 nuk mund të shihet si një episod i izoluar, por si vazhdimësi e një ideje më të hershme normative të artikuluar nga Woodrow Wilson për vetëvendosjen e popujve, një koncept që sfidoi logjikën e vjetër të ndarjes së territoreve mbi baza të fuqisë dhe jo të së drejtës. Edhe pse ndërhyrja e NATO-s u motivua zyrtarisht nga kriza humanitare në Kosova, në esencë ajo përfaqësonte një ndërhyrje korrigjuese në një rend historik të shtrembëruar, ku vullneti i popullsive autoktone ishte shtypur sistematikisht. Kësisoj, 24 marsi bëhet jo vetëm datë e ndërhyrjes ushtarake, por një pikë referimi në procesin e rishkrimit të së drejtës historike në funksion të lirisë.
Pasojat e kësaj ndërhyrjeje ishin të thella dhe strukturore: ajo hapi rrugën për transformime të rëndësishme gjeopolitike në rajon, duke mundësuar pavarësinë e Kosovës, konsolidimin euroatlantik të Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe integrimin gradual të Malit të Zi-t dhe Maqedonisë së Veriut në strukturat e sigurisë kolektive. Ky rreshtim i ri strategjik nuk ishte thjesht produkt i një ndërhyrjeje ushtarake, por rezultat i një ndërthurjeje midis sakrificës së brendshme e mishëruar në rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë pikë të historisë sonë të afërt, reflektimi mbi 24 marsin nuk mund të mbetet vetëm në dimensionin memorial, por duhet të shndërrohet në një platformë orientuese për të tashmen dhe të ardhmen. Në një botë që po ripërkufizohet nga tensione të reja gjeopolitike dhe rivalitete strategjike, elitat politike shqiptare në Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të dëshmojnë maturi shtetformuese dhe koherencë strategjike. Orientimi euroatlantik, i mishëruar në aleancën me NATO-n, nuk duhet të reduktohet në një referencë formale, por të përkthehet në reforma substanciale, në forcimin e institucioneve demokratike dhe në ndërtimin e një shteti funksional që garanton stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm. Përballë ndikimeve destabilizuese të aktorëve si Rusia dhe dinamikave të reja ndërkombëtare, uniteti i brendshëm politik dhe artikulimi i një interesi të përbashkët kombëtar bëhen imperativ historik.
Po kështu, kultura politike e kohës sonë kërkon një transformim thelbësor: nga instrumentalizimi i historisë drejt internalizimit të saj si përgjegjësi. Kujtesa e 24 marsit nuk duhet të shërbejë si kapital i konsumueshëm për përfitime të ngushta politike, por si busull morale për vendimmarrje vizionare dhe afatgjata. Duke reflektuar mbi rolin vendimtar të Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve perëndimorë, elitat shqiptare duhet të thellojnë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, duke promovuar një arkitekturë të qëndrueshme sigurie dhe zhvillimi. Vetëm në këtë mënyrë, trashëgimia e ndërhyrjes së vitit 1999 dhe sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të mbeten jo vetëm pjesë e kujtesës historike, por edhe themel i një të ardhmeje të orientuar drejt integrimit, paqes dhe dinjitetit kombëtar. /GD




