POSTIMET E FUNDIT

“Zëri i Kujtesës për Lirinë: Libri që po prek diplomacinë dhe ndërgjegjen ndërkombëtare”

Përgatiti Dashnm HEBIBI

Milano, 23 Mars 2026 – Atdhetari dhe publicisti i mirënjohur, që jeton dhe vepron në Itali, Arsim Mulliqaj ka shënuar një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij letrar dhe kombëtar, duke dorëzuar librin e tij “La mia eco per la libertà del Kosovo” në Përfaqësinë Diplomatike të Republikës së Kosovës në Milano. Ky akt simbolik dhe domethënës u shoqërua me një pritje të ngrohtë nga Konzulli i Përgjithshëm, Shkëlqësia Diamant Kastrati.

Arsim Mulliqaj një personalitet i njohur jo vetëm në Itali

Gjatë takimit, Mulliqaj dhe Kastrati zhvilluan një bisedë të vlefshme mbi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe promovimit të së vërtetës për Kosovën. Autori u shpreh i kënaqur që libri i tij tashmë gjendet në duart e përfaqësuesit diplomatik të vendit, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për përhapjen e mesazhit të tij.

Libri përbën një dëshmi personale dhe emocionale, ku përshkruhen kujtimet e autorit për atdheun e tij, nga viti 1980 deri më 12 Qershor 1999 – periudhë që përfshin zhvillimet më të vështira historike për Kosovën. I përshtatur për publikun italian, ky botim synon të informojë më gjerësisht mbi realitetin e përjetuar gjatë kohës së Jugosllavisë (Serbisë).

Konzulli Kastrati theksoi nevojën që libri të shpërndahet në shoqatat shqiptare në gjithë Italinë, si dhe në biblioteka, një ide që autori e mirëpriti me entuziazëm.

Në vazhdën e këtij angazhimi, Mulliqaj dorëzoi një kopje të librit edhe në Konzullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano, me dedikim për Shkëlqësinë Anila Pojani. Brenda një kohe të shkurtër, ai mori një mesazh falënderimi në postën elektronike, të cilin e cilësoi si një përjetim të veçantë dhe motivues.

Më tej, autori vizitoi edhe Konzullatën e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Milano, ku la një kopje të librit për Konzullin Gjeneral, Shkëlqësinë Douglass Benning. Për Mulliqajn, këto tre përfaqësi – Kosova, Shqipëria dhe SHBA-të – përfaqësojnë shtyllat kryesore të lirisë, demokracisë dhe shtetësisë së popullit shqiptar.

Ky akt i autorit nuk është vetëm një promovim libri, por një thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim, duke mos harruar kurrë sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Libri është i disponueshëm për publikun në platformën Amazon, duke synuar të arrijë një audiencë sa më të gjerë ndërkombëtare./ HelveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB