Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e festës së Fitër Bajrami, duke vënë theksin tek rëndësia e solidaritetit, harmonisë dhe mirëkuptimit në shoqëri.
Në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve, Osmani uroi që kjo festë të shërbejë si një moment afrimi dhe bashkimi mes njerëzve, duke nxitur mbështetjen e ndërsjellë dhe forcimin e lidhjeve shoqërore. Ajo shprehu gjithashtu dëshirën që besimtarëve t’u jenë pranuar lutjet dhe agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazani.
Presidentja theksoi se Fitër Bajrami është një moment i veçantë që nxit bujarinë dhe afron njerëzit më shumë me njëri-tjetrin. Sipas saj, kjo festë përfaqëson një mundësi për të mbajtur gjallë vlerat universale si solidariteti, kujdesi dhe mirëkuptimi, duke theksuar se mirësia mbetet e qëndrueshme kur kultivohet në përditshmëri.
Në përfundim të mesazhit, Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë pranë atyre që kanë më shumë nevojë dhe të jenë burim shprese për komunitetin.
“Gëzuar dhe me fat Fitër Bajrami!”, përfundon urimi i presidentes.




