POSTIMET E FUNDIT

Shqipëria rikonfirmon mbështetjen e palëkundur për Kosovën

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një bisedë telefonike me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, ku riafirmoi lidhjen e veçantë ndërmjet dy vendeve dhe angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për mbështetjen e Kosovës.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës së jashtme shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Ai vlerësoi zhvillimet e fundit, përfshirë heqjen e masave kufizuese nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm që hap një kapitull të ri dhe premtues në marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së. Sipas tij, ky progres pritet të pasohet nga hapa të tjerë pozitivë në rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë edhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Ministri theksoi gjithashtu nevojën për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe avancimin e projekteve madhore me interes kombëtar. Ai shtoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të forcohet në fusha kyçe si ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, siguria dhe diplomacia. Duke garantuar mbështetje të vazhdueshme, Hoxha deklaroi se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë në krah të Kosovës, duke nënvizuar një vizion të përbashkët për të kontribuar në forcimin e së ardhmes evropiane dhe euroatlantike të rajonit, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB