Ministria e Financave e Kosovës dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme financiare në vlerë prej 81 milionë euro, me synim përshpejtimin e reformave dhe avancimin e tranzicionit energjetik në vend. Nënshkrimi u bë në prani të ambasadorit gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph.
Sipas njoftimit zyrtar, paketa financiare përbëhet nga një kredi prej 80 milionë euro dhe një grant prej 1 milion euro. Këto mjete do të përdoren për të mbështetur drejtpërdrejt zbatimin e reformave në sektorin e energjisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit energjetik në Kosovë. Ai nënvizoi se mbështetja do të ndihmojë në përmirësimin e kornizës ligjore dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të energjisë elektrike, duke mundësuar integrim më të thellë në tregjet rajonale dhe evropiane.
“Ky financim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe në krijimin e një tregu më konkurrues dhe efikas,” u shpreh Murati.
Nga ana tjetër, udhëheqësi i divizionit të energjisë në KfW, Pablo Obrador Alvarez, e cilësoi këtë program si të parin e këtij lloji për Kosovën. Ai theksoi se marrëveshja plotëson mbështetjen ekzistuese dhe krijon një bazë të fortë për modernizimin dhe integrimin e mëtejshëm të sektorit energjetik.
Sipas palëve, kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më të integruar. Ajo pritet të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër të Kosovës, transmeton rtk.




