Në zonën e skijimit në Titlis, një gondolë është rrëzuar. Një grua 61-vjeçare nga rajoni ka humbur jetën në këtë aksident tragjik.Të mërkurën paradite ndodhi aksidenti, ku gondola u rrëzua dhe, sipas një videoje të një dëshmitari, ajo u rrotullua disa herë gjatë rënies. Menjëherë pas ngjarjes, disa persona u nisën drejt vendit të aksidentit për të ndihmuar.
Policia konfirmon ndërhyrjen, nis evakuimi
Shërbimi ajror i shpëtimit Rega ndërhyri me helikopter në vendngjarje. Në një video tjetër shihet se një person po reanimohej. Rreth orës 15:00, autoritetet konfirmuan se një person që ndodhej në gondolë ka humbur jetën. Viktima është një grua 61-vjeçare nga rajoni.
Rrethanat që çuan në aksident mbeten ende të paqarta. Hetimet kanë nisur nën drejtimin e prokurorisë së Nidwaldenit dhe në to është përfshirë edhe Swiss Transportation Safety Investigation Board, një organ i pavarur që merret me hetimin e aksidenteve të rënda në transport. Zona ku ndodhi aksidenti është e vështirë për t’u arritur dhe autoritetet po përpiqen të krijojnë një pasqyrë të plotë të situatës. Ngjarja ndodhi pranë kufirit mes kantoneve Nidwalden dhe Obwalden, transmeton 20min.ch. Një zëdhënëse e kompanisë së teleferikëve konfirmoi se evakuimi i pasagjerëve ka filluar, por ende nuk dihet numri i saktë i personave të prekur.
Erëra të forta në momentin e aksidentit
Sipas MeteoSchweiz, në momentin e aksidentit frynin erëra të forta deri në 84 km/h. Për shkak të kushteve të motit, linja “Titlis Xpress Trübsee–Stand” ishte mbyllur. Gjithashtu, një garë e planifikuar e sllallomit gjigant nga FIS u anulua për shkak të erës së fortë. Autoritetet u bëjnë thirrje dëshmitarëve që kanë parë ngjarjen ose kanë informacione të dobishme të kontaktojnë policinë e Nidwaldenit, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.




