POSTIMET E FUNDIT

Zëri i gruas – forcë për komunitetin shqiptar në mërgatë

Në kuadër të shënimit të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Dyseldorf, në bashkëpunim me Shoqatën e Gruas Shqiptare në NRW “Dora d’Istria”, organizoi një aktivitet me temën domethënëse “Zëri i gruas – forcë për komunitetin”.

Ky organizim mblodhi një numër të konsiderueshëm përfaqësuesesh të komunitetit shqiptar në Gjermani, profesioniste dhe aktiviste të angazhuara, të cilat diskutuan dhe reflektuan mbi rolin e shumëfishtë të gruas në familje, në komunitet dhe në shoqëri në përgjithësi.

Në fjalët e tyre përshëndetëse, znj. Albulena Haziri Korça, zv. konsulle, si dhe znj. Lendita Hoti Kryeziu, udhëheqëse e Shoqatës së Gruas “Dora d’Istria”, theksuan rëndësinë e fuqizimit të grave si një faktor kyç për zhvillimin e shëndetshëm të komunitetit. Ato nënvizuan gjithashtu nevojën për promovimin e vazhdueshëm të barazisë gjinore dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave shqiptare në diasporë.

Aktiviteti u nderua edhe nga pjesëmarrja e Kryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula, e cila në fjalën e saj vuri në pah rolin e gruas në avancimin e dijes, kulturës dhe vlerave shoqërore.

Një pjesë e rëndësishme e programit ishte paneli diskutues, ku panelistet ndanë përvojat e tyre personale dhe profesionale, duke trajtuar sfidat me të cilat përballen gratë sot, si dhe mundësitë për fuqizimin e tyre në fusha të ndryshme. Diskutimet sollën perspektiva të ndryshme dhe frymëzuese, duke nxitur dialog të hapur dhe reflektim të përbashkët.

Ky aktivitet shërbeu si një platformë e rëndësishme për të forcuar rrjetëzimin dhe solidaritetin mes grave shqiptare në mërgatë, duke dëshmuar se zëri i gruas mbetet një forcë e fuqishme për zhvillimin dhe përparimin e komunitetit, transmeton helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB