
Nga Zeqë Gashi, Kryetar i Ansamblit “Trojet”, Winterthur
Bernë, 14 mars 2026 – Nder i madh ishte, është dhe do të jetë për ne si Ansambël “Trojet” sa herë që kujtojmë dëshmorët, duke kënduar e recituar për ta. Ata janë pjesë e flamurit tonë kombëtar kuqezi dhe të historisë sonë të lavdishme. Me mundësitë tona si ansambël nuk munguam as kësaj here në një manifestim të rëndësishëm për kombin tonë, duke falënderuar njëkohësisht familjen Kuqi – një familje e mrekullueshme dhe shembull në mërgatë.
Ansambli “Trojet”, siç dihet, ka rreth vetes rreth 100 të rinj që janë të lindur dhe po rriten larg vendit të të parëve, por që me shumë dashuri, respekt dhe përkushtim u këndojnë dëshmorëve dhe traditës sonë kombëtare. Këta të rinj janë dëshmia më e mirë se kultura dhe dashuria për atdheun jetojnë edhe larg vendlindjes.

Në Bern të Zvicrës dje më 14 mars u mbajt manifestimi përkujtimor “Kurora e Lirisë”, kushtuar sakrificës sublime të Familjes Heroike Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Ky aktivitet përkujtimor solli së bashku shumë shoqata dhe ansamble nga kantone të ndryshme të Zvicrës, si dhe nga Kosova. Ndër pjesëmarrësit ishte edhe Ansambli Kombëtar “Shota”, i cili i dha kësaj mbrëmjeje një dimension të veçantë artistik dhe kombëtar.
Fillimisht shprehim falënderim të sinqertë për iniciatoren e këtij manifestimi, zonjën Mirishe Limani Hiler, si dhe për Grupin Artistik për organizimin e bukur dhe dinjitoz të këtij aktiviteti. Ishte kënaqësi e veçantë për ne të bëheshim pjesë e këtij organizimi domethënës që mban emrin “Kurora e Lirisë”, një manifestim që përkujton sakrificën dhe heroizmin e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut.
Në këtë atmosferë të mbushur me respekt, kujtim dhe krenari kombëtare, Ansambli “TROJET” nga Winterthuri u përfaqësua denjësisht nga dy artistët e rinj, vëllezërit Arbnor dhe Rrezart Kuqi.
Para një publiku madhështor dhe me një atmosferë të mbushur me emocione, ata interpretuan me shumë ndjenjë dhe dinjitet këngën “Kush po i thotë Drenicës, zemra ime e lashtë”. Kjo këngë në vargjet e saj bart dhimbjen, krenarinë dhe lavdinë e qëndresës së popullit tonë, kushtuar figurës legjendare të Komandantit Adem Jashari dhe sakrificës së Familjes Jashari.
Interpretimi i tyre nuk ishte vetëm një këngë artistike. Ishte një thirrje kujtese dhe nderimi për sakrificën që u bë themel i lirisë sonë. Me zërin dhe shpirtin e tyre, ata përcollën emocione të thella dhe respekt të madh për historinë tonë kombëtare, duke prekur zemrat e të pranishmëve në sallë.
Ansambli “TROJET” shpreh mirënjohje dhe falënderim të veçantë për vëllezërit Arbnor dhe Rrezart Kuqi, si dhe për familjen Kuqi, të cilët me përkushtim, dashuri për artin dhe respekt për atdheun, ngritën në skenë zërin e kujtesës dhe të krenarisë kombëtare.
Le të mbetet gjithmonë gjallë në këngë, në kulturë dhe në zemrat tona kujtimi për ata që na lanë amanet lirinë.
Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Lavdi dëshmorëve të kombit.
Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e atdheut.




