POSTIMET E FUNDIT

Avni Hafuzi në përkujtim të Revolucionit Hungarez – një urë miqësie mes shqiptarëve dhe hungarezëve

Përgatiti Dashnim HEBIBI, Budapest

Budapest – Distrikti XXIII, Soroksár- Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në Sheshin e Heronjve, u përkujtua përvjetori i 178-të i Revolucionit dhe Luftës për Pavarësi të Hungarisë të viteve 1848–1849. Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë drejtues të distriktit, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan kujtimin e heronjve që luftuan për lirinë e popullit hungarez.

Në ceremoninë përkujtimore mbajti fjalim nënkryetari i bashkisë së distriktit, Krisztián Sinkovics, i cili theksoi rëndësinë historike të revolucionit dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për pavarësinë dhe lirinë e Hungarisë. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe filantropi dhe afaristi i njohur shqiptar Avni Hafuzi, konsull nderi i Shqipërisë në Hungari dhe një personalitet i respektuar në jetën shoqërore dhe humanitare të vendit. I njohur për kontributin e tij të vazhdueshëm në fushën e biznesit dhe të bamirësisë, Hafuzi është bërë një figurë e vlerësuar jo vetëm në komunitetin shqiptar, por edhe në shoqërinë hungareze.

Gjatë ceremonisë, Avni Hafuzi vendosi një kurorë me lule pranë monumentit të heronjve të luftës për liri, duke nderuar sakrificën e tyre dhe duke shprehur respektin për historinë dhe traditën e popullit hungarez.

Me praninë e tij, Hafuzi theksoi gjithashtu lidhjet historike dhe miqësore mes shqiptarëve dhe hungarezëve, lidhje që datojnë prej shekujsh dhe që lidhen edhe me figurën e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili historikisht ka qenë një simbol i rezistencës dhe bashkëpunimit mes popujve të Evropës kundër pushtimeve.

Pjesëmarrja e tij në këtë ceremoni ishte një mesazh i qartë për miqësinë dhe respektin e ndërsjellë mes dy popujve, duke dëshmuar se vlerat e lirisë, paqes dhe solidaritetit janë të përbashkëta dhe vazhdojnë të bashkojnë komunitetet edhe sot.Në fund të aktivitetit, të pranishmit vendosën kurora dhe lule pranë monumentit për të nderuar kujtimin e heronjve të revolucionit, në një atmosferë respekti dhe reflektimi historik. Mesazhi që përcolli kjo ceremoni ishte i qartë: kujtesa historike, respekti për sakrificën dhe vlerat e paqes dhe lirisë mbeten themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e përbashkët e popujve.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB