POSTIMET E FUNDIT

Qeveria e Kosovës ndan mbi 2.5 milionë euro për mbështetje qytetarëve, zhvillim ekonomik dhe projekte ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, në të cilën janë marrë disa vendime të rëndësishme financiare dhe institucionale që prekin mbështetjen e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Në kuadër të mbështetjes për qytetarët e Kosovës që janë prekur nga situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme, ekzekutivi ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ndarjen e 500 mijë eurove.

Po ashtu, Qeveria ka aprovuar ndarjen e 1,675,000 eurove për zbatimin e Masave 3.6 dhe 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilat synojnë të mbështesin rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe autorizimi për ministrin përkatës që të aprovojë transferet nga nënprogrami “Shpenzimet e Paparashikuara” në nënprograme të tjera për shuma individuale deri në 40,000 euro, në mënyrë që të mundësohet reagim më i shpejtë ndaj nevojave emergjente buxhetore.

Ndër vendimet tjera, Qeveria ka miratuar edhe ndarjen e 370,000 eurove për Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), duke theksuar angazhimin e Kosovës në bashkëpunimin dhe programet zhvillimore ndërkombëtare.

Gjithashtu, është aprovuar propozimi i Ministrisë së Financave për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me KfW, për programin në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën.

Sipas Qeverisë, këto vendime synojnë të forcojnë mbështetjen për qytetarët, të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik dhe të thellojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në fusha strategjike si energjia dhe klima, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB