Cyrih, 8 Mars 2026 – Në një aktivitet të veçantë të organizuar në Zyrih të Zvicrës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, theksoi rëndësinë e fuqizimit të grave si një parakusht për zhvillimin e shoqërisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Gërvalla-Schwarz falënderoi organizatorët e mbrëmjes gala “Teutat”, të organizuar nga iniciativat e grave në Zvicër, që sollën histori frymëzuese të grave që ndanë përvojat dhe sukseset e tyre personale dhe profesionale.
Mes figurave të vlerësuara në këtë mbrëmje, Gërvalla përmendi modelen dhe filantropen Emina Cunmulaj, duke theksuar se angazhimi i saj bamirës tregon se solidariteti nuk është vetëm një gjest simbolik, por një përgjegjësi që prek jetët e shumë njerëzve. Po ashtu, ajo solli në vëmendje shembullin e psikiatres Vera Ora, duke nënvizuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor, veçanërisht për gratë që përballen me presione të shumta shoqërore, profesionale dhe familjare.
Sipas Gërvallës, mbrëmja, e organizuar nga Swissalbs Women dhe Arbela Statovci, shërbeu si një platformë për të festuar arritjet e grave dhe për të promovuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Ajo gjithashtu falënderoi kontributin e Kadire Tahiraj dhe punën e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, për angazhimin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të grave.
Dimensioni kulturor i mbrëmjes u pasurua nga performanca e Ansambli Trojet, ku të rinjtë përfaqësuan shpirtin e rinisë shqiptare, duke dhënë një mesazh të fuqishëm për trashëgiminë kulturore dhe unitetin e komunitetit.
Në përfundim të mesazhit të saj, Donika Gërvalla-Schwarz uroi të gjitha gratë me rastin e 8 Marsit, duke theksuar se kontributi dhe fuqia e tyre janë pasuria më e çmuar e një shoqërie që synon drejtësi dhe përparim, transmton helveticALForum.ch




