Campi Bisenzio, Itali – Komuniteti shqiptar në Itali do të mblidhet më 8 mars 2026 në Campi Bisenzio, pranë Firences, për manifestimin përkujtimor “Kushtrimi i Lirisë”, një aktivitet i dedikuar sakrificës së Adem Jashari, familjes së tij dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovo. Organizimi i këtij manifestimi bëhet nga Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) dhe Shoqata Adriatiku, ndërsa Radio Televizioni i Kosovës është sponsor medial i ngjarjes.
Organizatorët bëjnë të ditur se përmes aktiviteteve kulturore e artistike, fjalëve përkujtimore dhe pjesëmarrjes së përfaqësuesve institucionalë, aktivistëve të diasporës dhe pjesëtarëve të familjes Jashari nga Kosova, manifestimi synon të rikthejë në ndërgjegjen kolektive sakrificën historike që shënoi rrugën drejt lirisë së Kosovës.
Një nga momentet kryesore të programit do të jetë performanca e Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve i Maqedonisë së Veriut, i cili do të sjellë në skenë elemente të trashëgimisë kulturore shqiptare përmes muzikës dhe valleve tradicionale.
Gjithashtu, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të vizitojnë ekspozitën fotografike “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare”, të realizuar nga Sefer Aliçkaj. Përmes fotografive, ekspozita sjell një rrëfim të fuqishëm vizual për sakrificën dhe historinë e rezistencës në Prekaz, duke prekur thellë ndërgjegjen dhe emocionet e publikut.
Sipas organizatorëve, “Kushtrimi i Lirisë” është më shumë se një manifestim përkujtimor. Ai përfaqëson një dëshmi se edhe larg vendlindjes kujtesa historike e shqiptarëve mbetet e gjallë dhe identiteti kombëtar ruhet përmes bashkimit dhe përkujdesjes për trashëgiminë historike.
Ngjarja synon gjithashtu të përcjellë një mesazh të qartë për brezat e rinj të diasporës shqiptare: sakrifica për lirinë nuk harrohet dhe rrënjët kombëtare mbeten burim force, krenarie dhe dinjiteti për të ardhmen, transmeton rtk.




