Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, gjatë të cilit u diskutua për zhvillimet aktuale në vend dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.
Sipas një njoftimi nga Presidenca e Republikës së Kosovës, në takim u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë te rëndësia e përmbylljes së proceseve kushtetuese në përputhje të plotë me kushtetutën.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve demokratike dhe respektimit të rendit kushtetues, si bazë për stabilitetin politik dhe institucional në vend.
Gjatë bisedës u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme.
Presidentja Osmani ripotencoi se partneriteti me SHBA-në mbetet jetik dhe i pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës, duke e vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme amerikane për forcimin e institucioneve demokratike dhe për avancimin e vendit në arenën ndërkombëtare, transmeton rtk.




