POSTIMET E FUNDIT

Swiss International Air Lines anulon fluturimet drejt Dubait deri më 6 mars

Për shkak të situatës së vazhdueshme të tensionuar në Lindjen e Mesme, kompania ajrore zvicerane Swiss International Air Lines ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Dubait deri dhe përfshirë datën 6 mars. Lajmi u bë i ditur të martën nga vetë kompania, duke theksuar se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet prioritet absolut. Sipas raportimit të gazetës Tages-Anzeiger, presidenti i Shoqatës Zvicerane të Udhëtimit, Martin Wittwer, e ka cilësuar situatën si një “super-GAU”, duke nënvizuar pasojat e rënda për industrinë e turizmit. Përveç Dubait, fluturimet drejt Tel Avivit mbeten të anuluara deri më 8 mars.

Mijëra zviceranë të bllokuar në rajon

Sipas Ministrisë së Jashtme zvicerane (EDA), aktualisht rreth 4’800 shtetas zviceranë ndodhen në Lindjen e Mesme. Disa prej tyre kanë arritur të largohen me fluturime komerciale, por shumë të tjerë vazhdojnë të presin zgjidhje për t’u kthyer në atdhe.

“Jemi të vetëdijshëm që shumë njerëz – përfshirë edhe zviceranë në Lindjen e Mesme – po shpresojnë të largohen sa më shpejt nga rajoni. E kuptojmë pasigurinë dhe shqetësimin që kjo situatë ka shkaktuar”, thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë ajrore.

Për shkak të mbylljes së disa hapësirave ajrore në rajon, Swiss nuk do të përdorë deri më 6 mars hapësirat ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Qipros. Deri më 8 mars, kompania do të shmangë gjithashtu hapësirat ajrore të Izraelit, Jordanisë, Libanit, Iranit, Irakut, Bahreinit, Kuvajtit dhe Katarit.

Pasagjerët e prekur nga anulimet mund të rezervojnë falas një datë të re udhëtimi ose të kërkojnë rimbursim të plotë të biletës.

Rritet kërkesa për fluturime charter

Ndërkohë që dhjetëra mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar, personat me mundësi financiare po paguajnë shuma marramendëse për të siguruar largimin e shpejtë nga rajoni. Kërkesa për fluturime private charter ka shpërthyer ndjeshëm. Sipas drejtorit ekzekutiv të ndërmjetësuesit francez të avionëve privatë JET-VIP, Altay Kula, kërkesa është aq e madhe sa nuk ka mjaftueshëm avionë për ta përballuar. Çmimet për një fluturim privat nga rajoni i Gjirit drejt Evropës variojnë aktualisht nga 136’000 deri në 182’000 franga zvicerane, ndërsa në disa raste arrijnë deri në 180’000 franga.

Edhe Ameerh Naran, drejtues i kompanisë Vimana Private Jets, konfirmon se çmimet janë dyfishuar për shkak të mungesës së avionëve dhe rreziqeve të larta operacionale. Sipas tij, klientët përfshijnë biznesmenë, familje dhe sipërmarrës që kërkojnë të largohen sa më shpejt nga zona e krizës, transmeton 20min.ch. Ndërkohë, shumë udhëtarë po përpiqen të arrijnë me rrugë tokësore aeroporte më të sigurta, si në Oman apo Arabinë Saudite, për të kapur fluturimet e pakta komerciale ende në dispozicion. Situata mbetet e paqëndrueshme dhe kompanitë ajrore po monitorojnë zhvillimet nga afër, me shpresën për rifillimin e fluturimeve sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.

Foto ilustrim

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB