Ambasadori i ri i Republika e Shqipërisë në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, z. Ermal Dredha, ka nisur zyrtarisht takimet e kortezisë në Bernë pas marrjes së detyrës. Takimin e parë ai e zhvilloi në Ambasadën e Republika e Kosovës, ku u prit nga homologu i tij, Shkëlqesia e Tij, z. Mentor Latifi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke reflektuar marrëdhëniet e ngushta dhe historike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi i mëtejshëm ndërmjet dy përfaqësive diplomatike, me theks të veçantë në koordinimin e aktiviteteve në shërbim të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Ambasadori Dredha vlerësoi rolin e rëndësishëm që diaspora shqiptare luan në forcimin e lidhjeve mes vendeve tona dhe theksoi nevojën për një qasje të përbashkët për promovimin e kulturës, gjuhës dhe interesave kombëtare. Nga ana e tij, Ambasadori Latifi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional, si dhe mbështetjen e ndërsjellë në nisma që synojnë fuqizimin e komunitetit shqiptar.
Zvicra mbetet një ndër vendet me praninë më të madhe të diasporës shqiptare, e cila është e integruar dhe shumë aktive në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore të vendit pritës. Në këtë kuadër, të dy ambasadorët shprehën vullnetin për të thelluar bashkëpunimin dhe për të forcuar më tej lidhjet shpirtërore e kombëtare mes bashkëatdhetarëve.
Takimi shënon fillimin e një etape të re bashkëpunimi diplomatik në Bernë, me synimin për të qenë sa më pranë diasporës dhe për të përfaqësuar me dinjitet interesat e përbashkëta shqiptare, transmeton Ambasada e Shqipërisë në Bernë, përcjell helveticALforum.ch




