POSTIMET E FUNDIT

Marrëdhëniet Shqipëri – USA në universin filatelik shqiptar

Nga Besnik Fishta

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbëjnë një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë moderne të kombit shqiptar. Kjo miqësi, e ndërtuar mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe vetëvendosjes, nuk ka mbetur vetëm në dokumente diplomatike apo në fjalime historike, por është pasqyruar edhe në universin filatelik shqiptar. Pullat postare dhe Zarfat e Dites Pare (FDC) janë bërë dëshmi të domethenese artistike që ruajnë kujtesën e kësaj miqësie të veçantë.

Fillimi zyrtar i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së daton në vitin 1922. Por rrënjët e kësaj miqësie janë edhe më të hershme, kur Presidenti amerikan Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, kundërshtoi planet për copëtimin e Shqipërisë dhe mbrojti të drejtën e saj për të ekzistuar si shtet i pavarur. Për shqiptarët, Wilson mbetet një figurë historike me peshë të jashtëzakonshme, simbol i mbrojtjes së çështjes kombëtare në një moment kritik.

Pas periudhës së izolimit komunist, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991 shënoi një epokë të re bashkëpunimi. SHBA u bë një nga mbështetëset kryesore të Shqipërisë në procesin e demokratizimit dhe integrimit euroatlantik.

Një moment kulmor në marrëdhëniet dypalëshe ishte vizita e Presidentit amerikan George W. Bush në Tiranë, më 10 qershor 2007. Ishte hera e parë që një president amerikan vizitonte Shqipërinë. Pritja entuziaste popullore dhe deklaratat e tij në mbështetje të pavarësisë së Kosovës e kthyen këtë vizitë në një ngjarje historike.

Fig.1 Vizita me !0 Qershor 2007 e George W. Bush ne Tirane

Filatelia shqiptare e përjetësoi këtë moment me një emetim të veçantë pullash dhe FDC-je me temë miqësinë Shqipëri–SHBA. Në to paraqiten elemente simbolike si flamujt e dy vendeve, portreti i Presidentit Bush dhe motive që theksojnë partneritetin strategjik. Këto emetime nuk janë vetëm objekte koleksionimi, por dokumente historike në miniaturë.

Fig.2 Zarfi special numer1 ne dedikim te vizites Presidentit G.W.Bush

Fig.3 Zarfi special numer2

Në vitin 2022, Shqipëria dhe SHBA shënuan 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ky përvjetor u pasqyrua në një emision të posaçëm filatelik, ku dominojnë simbolet e miqësisë, bashkëpunimit dhe aleancës strategjike. Pullat dhe FDC-të e këtij përvjetori theksojnë vijimësinë historike të marrëdhënieve, nga viti 1922 deri në ditët tona, duke përçuar mesazhin e një partneriteti të qëndrueshëm, pasi sintetizon një shekull bashkëpunimi diplomatik dhe politik.

Fig.4 Zarf special ne dedikim te 100 vjetorit te vendosjes mardhenive diplomatike Shqiperi-USA

Përveç emisioneve zyrtare të Postës Shqiptare, edhe koleksionistët shqiptarë, nëpërmjet shoqatës së tyre, kanë realizuar një përkujtim të veçantë me rastin e përvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Një ekspozitë e tillë u organizua në Tiranë nga koleksionisti i shquar Dr. Jovan Basho, ku u paraqitën produkte filatelike interesante dhe të rralla, që përkonin me 101-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–SHBA (1922-2023) dhe me 80-vjetorin e emetimit të pullës amerikane me flamurin shqiptar (09.11.1943–09.11.2023), e cila përcillte mbështetjen ndaj rezistencës antifashiste të popullit shqiptar.

Fig.5 Zarf special i krijuar nga filatelisti Jovan Basho dedikuar pervjetorit te vendosjes mardhenisve diplomatike Shqiperi-USA

Një dimension thelbësor i miqësisë shqiptaro-amerikane është roli vendimtar i SHBA-së në çështjen e Kosovës. Ndërhyrja e NATO në vitin 1999, e udhëhequr kryesisht nga SHBA, i dha fund një periudhe të errët për popullin e Kosovës. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë, e cila u njoh menjëherë nga Shtetet e Bashkuara.

Filatelia shqiptare dhe ajo e Kosovës kanë pasqyruar këtë mbështetje përmes emetimeve që simbolizojnë lirinë, paqen dhe miqësinë me SHBA-në. Flamujt, shqiponja dykrenare dhe elementet e aleancës euroatlantike janë motive të shpeshta në këto seri.

Filatelia nuk është thjesht një pasion koleksionistësh; ajo është një formë arti dhe dokumentimi historik. Çdo pullë apo FDC me temë miqësinë Shqipëri–SHBA përçon mesazhe të qarta, mirënjohje për mbështetjen amerikane në momentet kyçe të historisë sonë. vlerësim për partneritetin strategjik në NATO, theksim të rolit të SHBA-së në pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, besim në një të ardhme të përbashkët në familjen euroatlantike.

Miqësia Shqipëri–SHBA mbështetet në vlera të përbashkëta dhe interesa strategjike.

Në të ardhmen, bashkëpunimi pritet të thellohet në fusha si siguria, investimet ekonomike, energjia, teknologjia dhe arsimi. Filatelia shqiptare do të vazhdojë të pasqyrojë këtë marrëdhënie, duke e shndërruar çdo përvjetor, vizitë zyrtare apo arritje të përbashkët në një kujtesë të përhershme në miniaturë. Nga qëndrimi historik i Woodrow Wilson-it në mbrojtje të Shqipërisë, te vizita e Presidentit George W. Bush në Tiranë dhe mbështetja e vazhdueshme për Kosovën, SHBA ka qenë një aleate strategjike dhe një mike e veçantë e shqiptarëve. Filatelia shqiptare e ka fiksuar këtë miqësi në mënyrë dinjitoze, duke e kthyer në pjesë të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike./GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB