Nga Dashnim HEBIBI
Arbnor Kuqi dhe Rrezart Kuqi, të lindur dhe të rritur në Zvicër, janë bërë emra të njohur dhe shumë të kërkuar në aktivitetet e mërgatës shqiptare. Me programin e tyre të pasur artistik, ata po i japin gjallëri dhe hijeshi manifestimeve kulturore, duke dëshmuar se rinia shqiptare në diasporë nuk e harron gjuhën dhe traditat kombëtare.
Të shoqëruar gjithmonë nga prindërit e tyre, Vëllezërit Kuqi kanë arritur të mbajnë edhe koncerte të plota me një repertor të zgjedhur këngësh të bukura shqipe. Programi i tyre përfshin interpretime me çifteli, sharki, violinë dhe piano, duke ndërthurur traditën me frymën moderne artistike.
Përveçse janë artistë të talentuar të muzikës shqiptare, Arbnori dhe Rrezarti janë edhe sportistë të dalluar, duke përfaqësuar një imazh të denjë të së ardhmes së rinisë sonë. Suksesi i tyre është rezultat i përkushtimit të madh familjar. Prindërit kanë investuar kohë, energji dhe përkushtim të vazhdueshëm që bijtë e tyre të rriten të sigurt, me vlera të forta dhe të mbështetur fuqishëm në traditat tona kombëtare.

Edhe pse tashmë janë rritur, ata vazhdojnë të gjejnë kohë për të qenë pjesë e shumë aktiviteteve të mërgatës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë. Jo rrallëherë janë të ftuar edhe në dasma dhe organizime të ndryshme në atdhe, ku priten me shumë dashuri dhe respekt.
Thënë shkurt, Vëllezërit Kuqi dinë të komunikojnë jo vetëm mes vete, por edhe me publikun përmes artit të këngës shqipe. Ata janë vërtet shqiponja të kulturës shqiptare në Zvicër dhe një krenari për mbarë komunitetin tonë.




