Në fshatin Fierishtë të Strugës u shënua një ngjarje me rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare, me vendosjen e një pllake përkujtimore në shtëpinë e veprimtarit Murat Lumani. Kjo shtëpi, sipas dëshmive dhe mbishkrimit në pllakë, ka shërbyer ndër vite si një nga bazat më të rëndësishme të organizimit të rezistencës shqiptare.
Nga viti 1993 deri në vitin 1999, shtëpia e familjes Lumani funksionoi drejtpërdrejt si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke ofruar strehim të sigurt për strukturat udhëheqëse dhe pjesëtarët e saj në periudhat më të ndjeshme të luftës. Përmes kësaj baze kanë kaluar dhjetëra veprimtarë nga Kosova dhe Maqedonia, në rrugëtimin e tyre drejt Shqipërisë, në funksion të organizimit dhe përgatitjes së rezistencës. Një moment i veçantë historik i përmendur në pllakë lidhet me marsin e vitit 1999, kur pas kthimit nga Konferenca e Rambujesë, në këtë shtëpi qëndruan deri në rikthimin e tyre në Kosovë anëtarë të delegacionit shqiptar, përfshirë Hashim Thaçin, Ramë Bujën, Kadri Veselin dhe Agim Çekun.

Pllaka përkujtimore u vendos nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, i cili vlerësoi lart kontributin e familjes Lumani në vitet më të vështira të organizimit të rezistencës. Sipas tij, kjo shtëpi ka qenë një pikë kyçe e ilegales shqiptare që nga viti 1991, duke luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e veprimtarëve të çështjes kombëtare. Vendosja e pllakës përfaqëson një akt institucional mirënjohjeje për kontributin shumëvjeçar të Murat Lumanit, ish-i burgosur politik dhe aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare. Për angazhimin e tij, ai është nderuar ndër vite me mirënjohje të shumta, përfshirë edhe nga institucionet e Kosovës.

Ngjarja u interpretua si një rikthim simbolik në një nga pikat kyçe të organizimit të rezistencës shqiptare, duke nderuar jo vetëm familjen Lumani, por edhe të gjithë ata që në momentet vendimtare kontribuuan dhe mbështetën luftën çlirimtare dhe idealin e lirisë kombëtare, transmeton strugalajm, përcjell helveticALforum.ch




