Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se prania e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të misionit të KFOR-it mbetet jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në mbarë rajonin.
Këto komente ajo i bëri gjatë një takimi lamtumirës me komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisiana-s, si dhe me pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant. Gjatë këtij takimi, presidentja Osmani falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të tij në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e tij në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, presidentja i ndau atij një mirënjohje të veçantë, duke e cilësuar rolin e tij si të rëndësishëm në avancimin e misionit të KFOR-it.
Njëkohësisht, Osmani i uroi mirëseardhje kolonelit Sargeant në detyrën e re, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO.
Presidentja shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të qytetarëve të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë amerikane në vend, duke theksuar se partneriteti i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një shtyllë kyçe për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
Në përmbyllje, Osmani ritheksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj SHBA-së për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, transmeton rtk.




