Nga Dashnim HEBIBI
Tenori i mirënjohur shqiptar, Ramë Lahaj, ka emocionuar publikun mbrëmjen e kaluar në Gjenevë, në një koncert madhështor të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Gjenevë, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në zemër të Gjenevës, përpara një pranie të jashtëzakonshme të bashkatdhetarëve tanë, por edhe miqve zviceranë, Lahaj dhuroi një performancë të jashtëzakonshme artistike, duke e kthyer këtë mbrëmje festive në një festë të vërtetë krenarie kombëtare.
I prekur thellë nga mikpritja dhe dashuria e publikut, tenori shprehu mirënjohjen e tij me fjalë zemre:
“Mërgata jonë asht dhe do të mbetet përherë shpresë, inspirim, frymëzim, identitet i krenarisë kombëtare! Me gjithë këtë dashni që ma dhatë mbrame në Gjenevë, ua kam borgj edhe një koncert në Cyrih së shpejti. Ju dua!”
Fjalët e tij u pritën me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e pazgjidhshme mes artistit dhe mërgatës shqiptare.
Koncerti në Gjenevë nuk ishte vetëm një ngjarje artistike, por edhe një moment reflektimi dhe bashkimi, ku muzika u bë ura që lidh atdheun me diasporën. Premtimi për një koncert të ardhshëm në Cyrih u mirëprit me entuziazëm, duke lënë të hapur një tjetër takim të shumëpritur mes Ramë Lahajt dhe admiruesve të tij në Zvicër.
Kjo mbrëmje festive dëshmoi se arti mbetet një nga shtyllat më të forta të identitetit tonë kombëtar dhe se mërgata shqiptare vazhdon të jetë një forcë e gjallë dhe frymëzuese për kombin, transmeton helveticALforum.ch




