Gjenevë, 23 shkurt, 2026- Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë organizoi një koncert festiv në sallën “Victoria”, me interpretimin e tenorit të njohur Ramë Lahaj. Mbrëmja ishte e mbushur me emocione, krenari dhe solidaritet, duke bashkuar komunitetin shqiptar dhe miqtë në Zvicër.

Ndër të pranishmit ishte edhe miku i madh i shqiptarëve, ish-politikani zviceran Ueli Leuenberger, i cili prej dekadash ka mbështetur të drejtat e shqiptarëve në Zvicër dhe në Kosovë.
Megjithëse nuk mbajti fjalim gjatë koncertit, ai ndau përshtypjet e tij përmes rrjeteve sociale, duke shkruar:
“Kush do ta mendonte, tridhjetë vjet më parë, se një ditë do ta gjenim veten në një sallë ‘Victoria’ të mbushur plot? Për mua, gjithmonë kam besuar në forcën e kauzave të drejta dhe aftësinë e tyre për të triumfuar një ditë.”
Ai po ashtu shprehu mirënjohjen për përmendjen dhe falënderimin publik nga Konsullja e Përgjithshme, Floreta Kabashi-Ademaj, për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre, këtu dhe në Kosovë.
Kulmi emocional i mbrëmjes ishte ovacioni në këmbë i sallës – një moment prekës që dëshmoi respektin dhe mirënjohjen për rrugëtimin e përbashkët dhe për idealet që sot janë bërë realitet.

Kjo mbrëmje në Gjenevë nuk ishte thjesht një koncert, por një festë e lirisë, e miqësisë dhe e besimit të palëkundur se kauzat e drejta, sado të vështira, në fund triumfojnë, transmeton helveticALforum.ch. Në këtë koncert ishte i ftuar edhe ekipi i helveticALforum.ch ku falënderojmë pafundësisht konsullen dhe gjithë stafin.
I nderuar z. Hebibi,
Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në një koncert solemn me tenorin nga Kosova Rame Lahaj. Ftesa vlen për dy persona.
Prania juaj në këtë ngjarje festive do t’ishte nder për ne.
Ju lutemi të konfirmoni pjesëmarrjen tuaj më së voni deri më 13 shkurt 2026, në adresën elektronike: consulate.geneva@rks-gov.net
Me respekt,
| Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në GjenevëConsulat Général de la République du Kosovo à Genève Tel.: +41 22 734 27 34Fax: +41 22 73427 32Email: consulate.geneva@rks-gov.net |
( Foto nga z.Ueli Leuenberger)




