Në kuadër të përvjetorit të 18-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Hagë organizoi një koncert dhe pritje solemne në ambjentet historike të NieuweKerk, duke sjellë një atmosferë festive dhe kulturore për të pranishmit.
Në fjalimin e tij, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sh.T. Glauk Konjufca, theksoi prioritetet kryesore të politikës së jashtme të qeverisë së re, duke riafirmuar angazhimin e Kosovës në rrugën euroatlantike. Ai gjithashtu shprehu vlerësimin e thellë për kontributin dhe rolin e diasporës kosovare në Holandë.
Nga ana tjetër, Sh.T. Ambasadori Dr. Dren Doli nënvizoi marrëdhëniet e forta dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Kosovës dhe Holandës, duke theksuar rëndësinë e dialogut diplomatik dhe kulturor midis dy vendeve.
Fjalimeve u pasuan performanca muzikore e grupit të Petrit Çarkaxhiut, i shoqëruar nga Dalvin Mamusha në violinë, Tanju Süleyman në perkusion dhe Adem Gülşen në piano, duke prezantuar një repertor të pasur me meloditë tradicionale të Kosovës.
Mbrëmja përfundoi me një pritje tradicionale kosovare, ku u shijuan specialitete të kuzhinës dhe verëra tipike të vendit, duke krijuar një ambient miqësor dhe festues.
Ambasada e Kosovës në Hagë shprehu falënderimet e saj të veçanta për të gjithë ambasadorët dhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike, institucionet holandeze, organizatat ndërkombëtare, si dhe për anëtarët e diasporës kosovare dhe miqtë e Kosovës që nderuan këtë përvjetor me praninë e tyre, transmeton Ambasada e Kosovës në Hagë, përcjell helveticALforum.ch




