8.9 C
Zurich
Saturday, February 21, 2026
spot_img
spot_img

POSTIMET E FUNDIT

“EDHE MBRETI RIKARD KUROHET ME ART”

Nga Giuliana Donzello

“…Kjo muzikë po më çmend. Bëjeni të ndalet!” – ulëret Rikardi II në skenën V të operës shekspiriane. Por, për ta pranuar, edhe pse e ka çuar të çmendurin drejt arsyes, për sa më përket mua, duket sikur e bën të humbasë. Megjithatë, qoftë i bekuar ai që ma dhuron, sepse është një shenjë dashurie; dhe dashuria për Rikardin është një xhevahir i rrallë në këtë botë nepërkash.

Të gjitha artet janë një akt dashurie kur bëhen një instrument “kure”, ose, për ta cituar Aristotelin, një “përkujdesje” ndaj personit që ndodhet në kushte nevoje – jo, sigurisht, një terapi mjekësore. Ndërkohë, ndërhyrjet mund të marrin përsipër synime parandaluese, rehabilituese apo psikoterapeutike dhe t’u drejtohen përdoruesve të ndryshëm: fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara, si dhe të ofrojnë përgjigje në fushën e varësive, sjelljeve transgresive, çrregullimeve të të ushqyerit dhe në sferën e mirëqenies.

Në veçanti, në arteterapinë me orientim dinamik, që i referohet modelit të shenjave, ngjyrës dhe volumeve plastike, vëmendja nuk drejtohet te treguesi psikologjik i produkteve të realizuara, e aq më pak te një lloj trajnimi artistik, detyra e të cilit mund të keqkuptohet si përpjekje për ta bërë pacientin artist. Detyra e saj specifike është të deshifrojë gjuhën grafiko-plastike ose të ngjyrave si pasqyrim i përvojave njerëzore.

Është pikërisht përkthimi vizual dhe konkret i imazheve ai që i bën ato të ndara, falë strategjisë bazë të terapistit, dhe që u lejon atyre që bëjnë arteterapi të njohin dëshirat e tyre, të ndërgjegjësohen për traumat dhe shqetësimet, të “përqafojnë” aspiratat e veta, të cilat, në të kundërtën, do të mbeteshin të përgjumura dhe të pakuptueshme. Brenda një mjedisi marrëdhënieje të mbrojtur, të mbështetur nga një rrugëtim i identifikuar dhe i garantuar nga shenjat, format dhe materia në përgjithësi, realizohen fuqizimi dhe mundësia për t’u shprehur, domethënë për të menaxhuar gjendjen vetjake të një jo mirëqenieje shëndetësore.

Qëllimi i arteterapistit nuk është të përdorë një produkt artistik për të zbuluar talente, por të realizojë një marrëdhënie empatike me personin dhe t’i afrohet përvojës së brendshme që produkti përçon.

Në fakt, është pikërisht përdorimi i artit dhe i ritualeve të tij – prej kohësh prerogativë e artistëve – që sugjerohet si një kod i përbashkët, i aftë t’u ofrojë përfituesve mundësinë për të ndërmarrë një punë introspektive dhe të kuptueshme brenda një marrëdhënieje të mbështetur në vetëdije.

A nuk rrezikohet vallë abuzimi me terma si “liria e shprehjes”, “arratisja në fantazi” apo “afirmimi i vetvetes” në kontekste të veçanta, ku këto shprehje mund të rezultojnë të papërshtatshme dhe të papajtueshme?

Duke dashur ta çlirojmë artin nga një lloj rrjeti që e dëshiron të dënuar si protestë e një individi të vetmuar – dhe për këtë edhe madhështor – kundër një shoqërie jo në mirëqenie dhe të padrejtë, duhet të vihet në pah se sa ndërtim, organizim, kërkim dhe përdorim të një kodi me rregulla vetjake ka në art; si dhe ajo përputhje me të vepruarin që ua bën të kuptueshme edhe të tjerëve përmbajtjet e veta, duke u bërë mjet dhe lidhje me shoqërinë, si dhe zë i përvuajtjes dhe i sikletit.

Sfida e parë është ajo e njohjes dhe e vënies në praktikë të rregullave: duke filluar nga përdorimi i materialeve, te përdorimi i ngjyrave dhe teknikave të pikturës; nga organizimi i hapësirës grafike te zhvillimi i tredimensionalitetit në modelime; apo nga mënyra se si të tjerët, në të kaluarën, kanë arritur t’i përvetësojnë dhe të përballen me kode të ndryshme shprehëse.

Sidomos për subjektet me çrregullime psikike, këto rregulla janë shumë më të pranueshme sesa ato të imponuara nga ai realitet nga i cili është zgjedhur të qëndrohet në skaje.

Kur ky proces vihet në lëvizje, ai arrin ta mbajë nën kontroll dhe ta zëvendësojë shkatërrimin me kënaqësinë e krijimit; kështu, pacienti përfundon duke pranuar rregullat.

Është pikërisht “procesi i identifikimit” të autorit me objektin e prodhuar, me ndihmën e marrëdhënies terapeutike, ai që mundëson evolucionin drejt një vlerësimi të kënaqshëm.

Pra, ajo që u intereson arteterapive janë dinamikat që vihen në veprim kur ndjesia dhe e njohura, të cilat i përkasin çdokujt, derdhen dhe çlirojnë energjinë – por edhe vuajtjen – për t’u bërë të dukshme dhe të perceptueshme për botën e jashtme, për tjetrin dhe për mjedisin.

Përktheu: Angela Kosta

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB