Për herë të parë që nga paslufta, Kosova do ta ketë një Ministri të veçantë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare. Institucioni i sapokrijuar do të udhëhiqet nga Andin Hoti, i cili në një prononcim për Radio Televizioni i Kosovës (RTK) theksoi se kjo ministri nuk përfaqëson thjesht një riorganizim administrativ, por një orientim të ri të politikave shtetërore drejt familjes, punës dhe vlerave të luftës çlirimtare.
Sipas Hotit, familja mbetet themeli i shoqërisë kosovare, ndërsa sfidat sociale, ekonomike dhe demografike kërkojnë një qasje të koordinuar dhe të përqendruar institucionale. “Dinjiteti i atyre që sakrifikuan për lirinë tonë është obligim kombëtar”, u shpreh ai, duke shtuar se themelimi i kësaj ministrie ka qenë një nevojë reale dhe e kahershme.
Ministri nënvizoi se synimi është që këto tri shtylla – puna, familja dhe vlerat e luftës – të vendosen në qendër të politikëbërjes shtetërore, duke krijuar mekanizma më efikasë për mbështetjen e familjeve, rritjen e mirëqenies sociale dhe trajtimin me dinjitet të kategorive të dala nga lufta.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë shprehur pritshmëritë e tyre që kërkesat e kahershme të adresohen pa vonesë dhe në mënyrë të drejtë. Ndër kërkesat kryesore që ata rendisin janë miratimi i ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës, rikthimi i pensionit të veteranit në barasvlerën e pagës minimale – e cila, sipas tyre, ishte mohuar vite më parë – si dhe nxjerrja e urdhëresave administrative për zbatimin e plotë të ligjit për veteranët.
Pavarësisht se organizata e veteranëve thotë se nuk është konsultuar paraprakisht për krijimin e kësaj ministrie, ata e mirëpresin themelimin e saj, duke e konsideruar si hap pozitiv drejt trajtimit më të strukturuar të çështjeve të tyre.
Pas themelimit, u theksua se ministria do të mbulojë segmentet më vitale të shoqërisë dhe shtetit, me fokus të përhershëm në dinjitetin dhe krenarinë kombëtare. Mbetet të shihet se si ky institucion i ri do t’i përkthejë në veprime konkrete pritshmëritë e larta të qytetarëve dhe të kategorive të dala nga lufta, transmeton rtk.




