Avokatja, Furtuna Sheremeti, pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit, kërkoi që klienti i saj të shpallet i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës në gjyqin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sheremeti e quajti të paprecedentë dënimin e kërkuar nga Prokuroria prej 45 vjetësh.
“Nuk ka prova që të mbështesin fajësinë për asnjërën prej pikave të akuzës për Selimin. Duhet të shpallet pafajësia dhe nuk mund të flitet për masë dënimi. Megjithatë, nëse trupi gjykues arrin në masën e dënimit, pala do të flasë për kërkesën e pazakonshme të Prokurorisë. Prokuroria kërkon 45 vjet për secilin prej të akuzuarve, duke u bazuar në rregullën 163 (4) dhe me një masë dënimi të përbashkët, duke trajtuar totalitetin e pretenduar të sjelljes si një justifikim…Kërkesa e Prokurorisë është shproporcionale dhe e paprecedentë në rrethana të kësaj çështjeje që nuk është provuar. Një dënim 45 vjeçar praktikisht është një dënim me jetë. Ky nuk është proporcional, është dënim simbolik që shfaqet si një masë dënimi”, tha ajo.
Avokatja, Sheremeti tha se asnjë viktimë e pretenduar nga Prokuroria nuk ka pësuar nga Selimi.
“Dosja përfundimtare e ZPS-së ka 24 impakte të viktimave. Dëmi i përshkruar tregon një dëm që nuk do ta kishte pësuar asnjë person. Megjithatë, asnjë prej këtij dëmi nuk të çon te Selimi. I vetmi rast kur përmendet Selimi është në dëshminë e dëshmitarit w04644 dhe kjo përmendje e shkurtër nuk ka të bëjë me keqtrajtim, dhunë apo ndonjë formë të dënimit. Përkundrazi, dëshmitari përshkruan se si e ka parë Selimin, se si ishte ardhur me një xhip dhe e ka shoqëruar vjehrrin e dëshmitarit nga kjo skenë pa pasur ndonjë pretendim të një abuzimi”, tha ajo.
Avokati tjetër i Selimit, Geoffrey Roberts tha se ai është i pafajshëm dhe se ai duhet të lirohet të shkojë në shtëpinë e tij, në Kosovë.
“Selimi është tërësisht jo i fajshëm, pra i pafajshëm për të gjitha akuzat që ka ngritur ZPS ndaj tij si rezultat Selimi duhet të deklarohet jo fajtor dhe duhet të lejohet të shkojë në vendin e vetë pranë familjes së vetë në Kosovës, nuk ka asnjë bazë në të gjitha argumentet e akuzave që ZPS ka ngritur për Selimin”, u shpreh ai.
Sipas avokatit, Roberts provat e parashtruara nga ZPS janë kontradiktore dhe jo të besueshme.
“Selimi nuk ka qenë komandant, Selimi nuk ka ushtruar asnjë përgjegjësi eprore në asnjë mënyrë dhe një asnjë formë, këtu përfshirë dhe autoritetin e pretenduar se Selimi ka qenë anëtar i këtyre strukturave pavarësisht se ai ka qenë anëtari i njohur që në fillim i UÇK-së… Provat kundër Selimit për të gjitha akuzat e ngritura nga ZPS janë kontradiktore, nuk kanë besueshmëri dhe janë të pabazuara. Në veçanti pretendimi se Selimi ka marrë pjesë në ndonjë krim të pretenduar rrëzohet tërësisht, do të bëhej analizë e kujdesshme e provave që ka parashtruar prokuroria”, tha ai.
Avokati tjetër Eric Tully tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar akuzat kundër Rexhep Selimit i ka bazuar në prova dytësore që burojnë nga disa dokumente të sekuestruara.
Fjalën përmbyllëse e vazhdoi në seancën e sotme, Chad Mair, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit. Ai tha se në pjesën e parë të 1998-ës UÇK-ja nuk ka pasur strukturë me zinxhir komandues, por grumbullim të njësive lokale guerile që kanë vepruar në mënyrë të pavarur dhe horizontale.
“Provat dëshmojnë se gjatë pjesës më të madhe të 1998-ës ka pasur pak lidhje midis këtyre njësiteve dhe kishte një lidhje shumë të dobët me Shtabin e Përgjithshëm…. Lidhje shumë e dobët. Shumë ushtarë të UÇK-së, duke përfshirë komandantët, nuk dinin as për ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm apo anëtarëve të tyre. Vetë zonat ishin në zhvillim e sipër dhe pjesën më të madhe të paformuara.
Kjo vlen për pjesën e parë të 1998-ës. Kjo nuk është strukturë me zinxhir komandues, por grumbullim i njësiteve lokale. Njësitet guerile që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe horizontale pa ndonjë kohezion apo unitet. Brenda Shtabit të Përgjithshëm në këtë moment kohor nuk kishte strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive”, tha avokati Mair, transmeton rtsh.




