Bernë, shkurt 2026 – Siç raportohet nga helveticALforum.ch, Administratori i Postës Shqiptare, z. Etjen Xhafaj, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Drejtorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Postës Zvicerane, z. Aime Theubet, me qëllim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën postare dhe atë të shërbimeve financiare. Ky takim vjen në një moment kur Posta Shqiptare synon të modernizojë shërbimet e saj dhe të krijojë lehtësira konkrete për qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Në takim morën pjesë gjithashtu znj. Monika Zguro, E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, si dhe z. Artemon Cukalla, Drejtor i Kabinetit në Postën Shqiptare. Diskutimet u fokusuan mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit, sidomos në fushën e shërbimeve financiare dhe ato që lidhen drejtpërdrejt me diasporën shqiptare në Zvicër, e cila është një nga komunitetet më të mëdha shqiptare jashtë vendit.

Z. Xhafaj dhe z. Theubet riafirmuan angazhimin e tyre për të ndërtuar ura bashkëpunimi të qëndrueshme, duke synuar jo vetëm përmirësimin e cilësisë së shërbimeve postare, por edhe integrimin e zgjidhjeve moderne që lehtësojnë pagesat, transferimet financiare dhe shërbimet e tjera që lidhen me jetën e përditshme të shqiptarëve në Zvicër.
Ky takim, siç mëson helveticALforum.ch, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Postës Shqiptare dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të garantuar që qytetarët shqiptarë, kudo që ndodhen, të kenë akses në shërbime moderne, të shpejta dhe të besueshme, transmeton Ambasada e Shqipërisë në Bernë, përcjell helveticALforum.ch




