Ka nisur rreth orës 17.28 min seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës, duke shënuar fillimin zyrtar të punës së përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e fundit. Seanca po udhëhiqet nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në hapje të seancës, 118 deputetë votuan pro formimit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Pas votimit, anëtarët e komisionit u mblodhën menjëherë për të kryer detyrat e tyre, ndërsa Kuvendi shpalli një pushim 15-minutësh deri në përfundimin e punës së komisionit.
Deputeti Dehari njoftoi se përgatitjet për këtë seancë ishin bërë në një mbledhje të përbashkët të mbajtur më 10 shkurt 2026 ndërmjet kryetarit të Kuvendit nga legjislatura e nëntë dhe kryetarëve të subjekteve politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend.
“Të nderuara deputete, të nderuar deputetë, kryetari i Kuvendit nga legjislatura e nëntë, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike që kanë fituar vende në kuvend, ka bërë përgatitjet për mbajtjen e seancës themeluese të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit”, deklaroi Dehari.
Rendi i ditës i seancës konstituive përfshin katër pika kryesore: formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit si dhe zgjedhjen e nënkryetarëve.
Pas përfundimit të kësaj seance, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se pritet të mbahet edhe një tjetër seancë plenare, në të cilën do të shqyrtohet zgjedhja e Qeverisë së re.
Seanca konstituive shënon hapin e parë formal drejt funksionalizimit të institucioneve të reja dhe nisjes së mandatit katërvjeçar të legjislaturës së dhjetë, nga e cila priten zhvillime të rëndësishme politike në ditët në vijim, transmeton rtk.




