Shqipëria dhe Franca kanë miratuar marrëveshjen mbi bashkëprodhimin kinematografik. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndërsa thekson se marrëveshja synon nxitjen dhe lehtësimin e bashkëprodhimeve kinematografike ndërmjet subjekteve prodhuese të të dy vendeve.
Ministri deklaron se veprat e pranuara do të konsiderohen vepra kombëtare në të dy vendet dhe do të përfitojnë të njëjtat avantazhe ligjore dhe financiare si prodhimet përkatëse kombëtare.
“Marrëveshja mbi bashkëprodhimin kinematografik ndërmjet Qeverisë së Republikës Franceze dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë synon nxitjen dhe lehtësimin e bashkëprodhimeve kinematografike ndërmjet subjekteve prodhuese të të dy vendeve.
Kjo marrëveshje, përcakton kushtet e pranimit të veprave në status bashkëprodhimi, përqindjet e kontributit financiar, si dhe kërkesat për pjesëmarrje artistike dhe teknike.
Veprat e pranuara konsiderohen vepra kombëtare në të dy vendet dhe përfitojnë të njëjtat avantazhe ligjore dhe financiare si prodhimet përkatëse kombëtare. Marrëveshja, e cila do të nënshkruhet së shpejti, parashikon procedura miratimi, lehtësi administrative, rregulla për prezantimin e bashkëprodhimit dhe krijimin e një komisioni të përbashkët për monitorimin e zbatimit të saj”, shkruan ministri, transmeton rtsh.




