5.4 C
Zurich
E shtunë, 7 Shkurt, 2026
spot_img
spot_img

Artan Ibishi, aktori më i mirë i “Ditëve të Komedisë Shqiptare”: “Presheva, zemra ime artistike”

Duhet ti lexosh

Intervistë me aktorin preshevar Artan Ibishi, fitues i çmimit për aktorin më të mirë në festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare”

Intervistoi Dashnim HEBIBI, Zürich

Rrëfimi i Artan Ibishit është më shumë se një intervistë – është një dëshmi e heshtur për forcën e shpirtit artistik që nuk shuhet, edhe kur rrethanat përpiqen ta zbehin. Në fjalët e tij ndihet pesha e skenës, lodhja e viteve, por mbi të gjitha dashuria e palëkundur për artin dhe për Preshevën, këtë qytet që mbetet njëkohësisht plagë dhe frymëzim. Çmimi “Aktori më i mirë” në festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare” nuk është vetëm një trofe personal, por një simbol shprese për një vend që ende prodhon vlera, edhe kur nuk u jepet hapësira e merituar.

- Reklama -

Artani nuk flet si dikush që kërkon largimin, por si një artist që ka zgjedhur të qëndrojë, të mbajë gjallë dritën e skenës atje ku errësira shpesh tenton të bëhet normë. Ai e sheh teatrin si strehë të së vërtetës, si dialog të ndershëm me publikun, si vend ku njeriu ballafaqohet me veten pa maska politike apo interesa të përkohshme. Përmes roleve të tij, ai nuk kërkon duartrokitje të shpejta, por kujtesë, ndërgjegje dhe ndjeshmëri.

Në një realitet ku arti shpesh trajtohet si dekor, Artan Ibishi dëshmon se arti është rezistencë. Se Presheva nuk jeton vetëm në fjalime e pritje boshe, por në skenë, në zërin e aktorit, në emocionin e publikut që ende duartroket me zemër. Ky rrëfim na kujton se shpresa nuk vjen gjithmonë nga institucionet, por nga njerëzit që refuzojnë të heshtin dhe që zgjedhin të krijojnë, edhe kur kushtet mungojnë.

Historia e Artan Ibishit është histori përkushtimi, besimi dhe qëndrimi. Është një thirrje e qetë, por e fuqishme, që arti të mos braktiset, që Presheva të mos harrohet dhe që zëri i saj të vazhdojë të dëgjohet – jo vetëm në ditë festivali, por çdo ditë, sa herë që dikush guxon të ngjitet në skenë dhe të flasë me shpirt të hapur.

- Advertisement -

Artan Ibishi, aktori i njohur preshevar, u shpall së fundmi aktori më i mirë i edicionit të XX të festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”, që u zhvillua ditët e fundit në Preshevë. Me këtë rast, kemi pasur mundësinë ta intervistojmë dhe ta njohim më nga afër jo vetëm për suksesin e tij të ri, por edhe për rrugëtimin e tij artistik, raportet me kolegët dhe qytetarët, sfidat e jetës si aktor në një provincë, përvojat e tij në teatro të ndryshme, mbështetjen që ka marrë gjatë karrierës, planet për të ardhmen, si dhe mendimet e tij për artin dhe jetën kulturore në Preshevë. 

Artan, përshëndetje dhe faleminderit për kohën. Urime për çmimin që të u nda ditë më parë. E prisje këtë?

Përshëndetje miku im i dashur, ju jam mirënjohës për punë dhe angazhimin që po e bëni për artin dhe kulturën sidomos për Preshevën që nuk pe harron asnjëherë. Ju faleminderit nga zemra për urimin. Të jem i sinqertë, nuk e prisja këtë çmim e përjetova me shumë emocion. E konsideroj si një vlerësim për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndër vite, por edhe si një përgjegjësi për të vazhduar me seriozitet në të ardhmen. Është një çmim që më motivon edhe  më obligon të punoj edhe më shumë.

Si u ndjeve kur u shpall aktori më i mirë i edicionit të XX të festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”?

E natyrshme që u ndjeva mire, ishte një ndjesi shumë e veçantë dhe emocionuese. Sinqerisht, nuk e prisja  një vlerësim të tillë dhe u ndjeva jashtëzakonisht i nderuar dhe i rrespektuar. Ky çmim ka një domethënie të veçantë për mua, sepse është një festival tradicional shumë i rëndësishëm për Preshevën “Ditët e Komedisë Shqiptare” është një motivim i madh për të vazhduar punën me shumë dashuri e përkushtim ndaj artit. Kur fiton çmimin “Aktori më i mirë i festivalit” zakonisht është gëzim dhe krenari sepse shpërblehet puna, përkushtimin dhe sakrificat që ke bërë. Normal kur punon me sinqeritet dhe përkushtim nuk mungon as çmimi, andaj jam mirënjohës dhe falenderues ndaj jurisë profesionale  që më vlerësuan me çmimin aktori më i mirë i festivalit.

“Është një çmim që e ndaj me të gjithë ata që kanë besuar”

Kujt ia dedikon këtë çmim?

Para disa viteve në festivalin e Mitrovicës u zgjodha aktori më i mirë jo protagonist dhe këtë çmim ja dedikova Teatrit të Preshevës, ishte sapo themeluar, teatri më i ri në rajon.Ndërsa ky çmim i dedikohet para së gjithash familjes sime, gruas dhe fëmijëve të mi, për mbështetjen e pakushtëzuar, si dhe kolegëve dhe ekipit me të cilët kam punuar, sepse pa ta ky çmim nuk do të ishte i mundur. Është një çmim që e ndaj me të gjithë ata që kanë besuar tek unë dhe tek puna ime.

Sa e vështirë është të jesh aktor në një provincë që dikur ishte vatër e artit?

Më beso se nuk është e lehtë. Të jesh aktor në një provincë  siç është “Presheva” që dikur ishte vatër e artit dhe kulturës do të thotë të punosh shpesh me shumë dashuri, por me problem dhe me pak kushte. Megjithatë, kjo vështirësi të mban të lidhur fort me thelbin e artit dhe me publikun. Besoj se përgjegjësia jonë është ta mbajmë gjallë këtë traditë dhe ta ringjallim hap pas hapi, pavarësisht sfidave sepse ne jemi të obliguar ta mbajm gjallë jetën teatrore.

Si janë raportet tua me kolegët në Teatrin e Preshevës?

Jemi një ekip shumë i vogël, po deri më tani funksionon në mënyrën më të mirë të mundshëm, kam një raport të shkëlqyer  me kolegët në Teatrin e Preshevës, marëdhënjet janë shumë të ngrohta dhe profesionale. Punojmë me shumë respekt dhe bashkëpunim ndaj njëri tjetrit, dhe kjo krijon një atmosferë ku secili mund të japë më të mirën e tij. Ndihem me fat që jam pjesë e një ekipi kaq të përkushtuar dhe të talentuar. Puna jonë është më shumë ekipore prandaj nëse nuk kemi raporte të mira mes veti nuk do të kemi suksese në punën tonë.

“Secila eksperiencë jashtë Preshevës më ka mësuar diçka të re”

Ke marrë pjesë në shumë teatro jashtë Preshevës. Ku të kanë pritur më mirë?

Po thuajse në çdo vend ku flitet shqip kam marrë pjesë, në shumë festivale kam prezantu po sigurisht çdo qytet dhe çdo teatër ka mënyrën e vet të mirëpritjes, dhe kam marrë përvojë të vyer kudo. Megjithatë, ndihem veçanërisht i mirëpritur atje ku publiku dhe kolegët kanë një dashuri të dukshme për artin dhe për përkushtimin e aktorit. Sepse festivalet bëhen që të ketë komunikim me publikun e atij vendi, ato krijojnë dialog mes artistëve dhe qytetarëve, e bëjnë teatrin më të afërt dhe më të gjallë. Aktorë, regjisorë dhe trupa nga vende të ndryshme takohen, ndajnë përvoja dhe mësojnë nga njëri-tjetri. Në shumë festivale si në: Gjilan, Suharekë, Dibër, Gjirokastër, Kumanovë, Mitrovicë, Tetovë, Shkup, Tiranë, Prishtinë etj por unë doja ta theksoja Festivalin e Suharekës me të vërtetë e kanë një mikëpritje të jashtzakonshëm. Secila eksperiencë jashtë Preshevës më ka mësuar diçka të re dhe më ka ndihmuar të rritem si artist.Por me mikëpritjen që ka Presheva nuk e ka as një vend.

A po vlerësohet arti në Preshevë, apo gjithçka është bërë politikë?

Hmmmm fatkeqësisht pak, pak e dhimbshme po është realitet. A mund të bëhet më shumë, sigurisht që po, po kjo nuk varet nga komuniteti artistik sepse në Preshevë arti dhe kultura ekziston, kemi të rinj me talent, kanë vullnet, por vlerësimi real i artit është i kufizuar sepse mungojn mjetet financiare. Shpesh ndodh që politika të ketë përparësi ndaj kulturës , aktivitetet kulturore bëhen më shumë si simbolikë sesa si investim afatgjatë.Unë mendoj se problemi kryesor është se arti nuk shihet si vlerë, por si dekor dhe aty ku arti nuk vlerësohet aty bëhet propagandë, ose mbijeton në hije.

Si vendose që të merresh me art?

Vendimi për t’u marrë me art nuk erdhi si trashëgimi nga familja, sepse jam personi i parë që mirem me art, por kjo erdhi si një nevojë e brendshme.Ishte koha e shkollës së mesme në vitin 2000 – 2004 ku me disa shokë të klasës filluam të angazhohemi në grupin letrar “Migjeni”, dhe aty organizoheshte “Kuizi i Diturisë”, aty ishte dalja ime në skenë me skeqe humoristike sigurisht amatoreske dhe aty për here të parë u ballafaqova me publikun, aty fillova të ndjej dicka për artit dhe kulturën.Që herët ndjeva se arti ishte mënyra më e sinqertë për të shprehur mendimet dhe emocionet. Me kalimin e kohës, kjo prirje u forcua nga përvoja personale, nga vëzhgimi i shoqërisë dhe nga dëshira për të thënë diçka që shpesh mbetet e pathënë. Edhe pse rruga nuk ka qenë e lehtë dhe shpesh pa mbështetje, po unë vazhdoja ta ndjek një ëndërr që ishte e vetmja mënyrë për të qenë i sinqertë me veten.Pastaj fillova studimet në Fakultetin e Arteve dega Aktrim.

Je shumë i afërt me qytetarët e Preshevës. E ke menduar ndonjëherë të largohesh?

Jo kurr nuk e kam menduar me besoni , do të isha i pasinqertë nëse ju gënjeja. Si në çdo vend e punë  ka momente lodhjeje, zhgënjimi dhe pasigurie, ama kur largimi nga Presheva si opcion nuk e kam pas. Por sa herë që kjo ide është shfaqur nga miqt e mi, ose më ka tregur që ka vendosur  të largohert kjo më ka lënduar shumë, prandaj më është kthyer mendja te njerëzit e Preshevës te ato fytyrat e buzëqeshura te ato duartrokitjet që me minuta të tërë pas cdo shfaqje më jepnin emocione duke vlersu punën dhe artit tim. Kjo afërsi nuk është thjesht afërsi fizike, është emocionale dhe shpirtërore. Këtu e ndiej se arti im ka kuptim, se flet një gjuhë që kuptohet. Për momentin, ndjej se kam ende diçka për të thënë këtu dhe sa kohë që kjo ndjenjë ekziston, Presheva mbetet pjesë e zemrës sime.

Sa role ke luajtur deri më sot?

Me të vërtetë nuk i kam numëruar deri tani, po deri më sot kam luajtur disa role, si në projekte teatrale ashtu edhe në projekte televizive (seriale). Unë nuk i shohë rolet si numëra apo si shifra, sepse çdo rol ka pasur peshën dhe rrugëtimin e vet, nëse ato role nuk i bëjë me përkushtim dhe përgjegjësi atëherë numrat janë kotë. Po kam pasur role që më kanë sfiduar teknikisht kanë qenë më të vështirë për të realizuar disa më e emocionalisht, e disa më kanë afruar më shumë me publikun.Më e rëndësishmja është pesha e rolit, se çfarë kam lënë pas secili rol, çfarë kam mësuar dhe çfarë kam dhënë me atë rol dhe sa i sinqertë kam qenë në skenë.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Për momentin jam i fokusuar në teatër aty ku ndihem më rehat.Planet e mia për të ardhmen sigurishtë do ti vazhdoj me vazhdimin e krijimit dhe rritjes artistike. Dua të punoj në projekte që më sfidojnë, që kanë përmbajtje dhe që flasin për realitetin tonë, pa kompromis me sinqeritetin artistik.

Një pjesë e rëndësishme e planeve është edhe ndërtimi i hapësirave për bashkëpunim, sidomos me të rinj, që arti të mos mbetet individual, por të kthehet në dialog me komunitetin. Po ashtu, jam i hapur për bashkëpunime jashtë Preshevës, për të sjellë përvoja të reja këtu dhe për ta çuar zërin tonë më larg.

Cila është përshëndetja jote për një vit të ri?

Për këtë Vitë të Ri, uroj që të kemi më shumë shëndet dhe lumturi , më pak urrejte dhe xhelozi, të kemi guxim për të qenë vetvetja. Qoftë një vit me më shumë mirëkuptim mes nesh, me më shumë hapësirë për artin, fjalën e lirë dhe njerëzoren.Uroj që secili të gjejë forcë për të mos hequr dorë nga ajo që e bën të ndihet i gjallë dhe që Presheva të ketë më shumë dritë, jo vetëm në festa, por gjatë gjithë vitit.

A di të nervozohesh, apo gjithmonë mbetesh pozitiv?

Jo jo pse çka është ajo hahaha, sigurisht që di të nervozohem edhe unë jam njeri, jo figurë publike pa emocione. Shpesh na thojnë juve artistave nuk ju besohet nuk e dim kur e keni për hajgare e kur e keni përnjëme. Ka situata që të lodhin, të zhgënjejnë, sidomos kur përballesh me padrejtësi, mosvlerësim apo indiferencë. Por duhet që nervozën të mos e lëm të na udhëheqë por ti kontrollojmë emocionet. Po të japim energji pozitivitet dhe të dhurojmë buzëqeshje gjithmonë, problemet dhe hallët mos ti bartim në rrugë apo në punë, se një ditë do të mbahemi në mend për vepra dhe fjalë të mira.

Për fund, a po i dorëzohet Presheva situatës së rëndë politike?

Nuk mendoj ashtu, por rreziku ekziston. Presheva po kalon në një situatë jo të mirë politike, një  pritjeje pa fund, ku shumë njerëz ndihen të pafuqishëm dhe të zhgënjyer. Kjo situatë mund të na coj në dorëzim.Megjithatë, nuk mendoj se Presheva është dorëzuar. Ka ende shpresë, njerëz që nuk pajtohen me heshtjen, të rinj që kërkojnë rrugë të reja, edhe pse shpesh pa mbështetje. Problemi është se këta zëra nuk dëgjohen sa duhet. Presheva ka nevojë më shumë stabilitet dhe përfaqësim të ndershëm se sa retorikë politike. Dorëzimi ndodh vetëm kur humbet shpresa, por unë mendoj deri sa egzistojmë ka ende  njerëz që refuzojnë ta humbin shpresën. / Enkas për helveticALforum.ch

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme