Çmimet e pronave të banimit në Zvicër kanë vazhduar trendin rritës edhe gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), çmimet e shtëpive individuale dhe banesave në pronësi janë rritur me afro pesë për qind gjatë gjithë vitit.
Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2025, indeksi i çmimeve të pasurive të paluajtshme rezidenciale u rrit me 0,5 pikë krahasuar me tremujorin paraprak, duke arritur në 125 pikë. Për krahasim, tremujori i katërt i vitit 2019 shërben si bazë me 100 pikë, transmeton 20min.ch. Rritja më e fortë e çmimeve u regjistrua te banesat në pronësi në komunat ndërmjetëse, pra në zona me dendësi të mesme deri të lartë pranë qendrave urbane. Nga tetori deri në dhjetor 2025, çmimet në këto zona u rritën me 2,4 për qind. Në të kundërt, ulje çmimesh u shënua vetëm te banesat në pronësi në komunat urbane të aglomeracioneve të mëdha, ku mesatarisht u regjistrua një rënie prej 1,4 për qind.
Sa u përket shtëpive individuale, çmimet në komunat urbane të aglomeracioneve të mëdha u rritën me 1,9 për qind, ndërsa në aglomeracionet urbane të mesme u shënua një rënie prej 1,6 për qind gjatë tremujorit të fundit, transmeton 20min.ch Në total, gjatë vitit 2025, çmimet e shtëpive individuale u rritën me 4,4 për qind, ndërsa ato të banesave në pronësi me 4,7 për qind. Këto të dhëna janë përpunuar nga gazeta «Finanz und Wirtschaft» në bazë të statistikave të BFS.
Indeksi i çmimeve të pasurive të paluajtshme bazohet në të dhënat e 28 institucioneve më të mëdha hipotekare në vend, të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të transaksioneve të blerjes së pronave në Zvicër, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch
Foto ilustrim




