2.2 C
Zurich
Thursday, January 29, 2026
spot_img
spot_img

“L’elisir d’amore”, kryevepra e Gaetano Donizetti në TKOB

Duhet ti lexosh

Opera lirike e Gaetano Donizetti,” L’elisir d’amore”, me komicitetin dhe romantizmin që e karakterizojnë, vjen gjatë muajit të dashurisë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Një lexim i ri skenik e zhvendos veprën në një fshat piktoresk bregdetar, ku shpaloset historia e Nemorinos, djaloshi naiv dhe i ndrojtur, i cili beson se një elisir magjik do ta ndihmojë të fitojë zemrën e Adinës.

Ky produksion i ri përcjell me ndjeshmëri dhe humor besimin tek dashuria e sinqertë, fuqinë e ëndrrës dhe guximin për të dashuruar. Mes muzikës plot dritë të Donizettit dhe një atmosfere mesdhetare, elisiri shndërrohet në simbol të shpresës dhe dëshirës njerëzore për t’u ndjerë i zgjedhur dhe i dashur, duke ruajtur frymën e lehtë dhe lozonjare të komedisë lirike.

“L’elisir d’amore” bashkon në skenë emra të spikatur të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, duke sjellë një larmi zërash dhe temperamentesh artistike, të ndarë në dy kaste të mrekullueshme interpretësh.

Krahas artistëve të mrekullueshëm të teatrit, do të jenë të pranishëm edhe artistë shqiptarë që po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare, si Enkeleda Kamani dhe Gëzim Myshketa, të cilët i japin këtij produksioni një dimension të gjerë artistik dhe profesional.

Në këtë produksion të “L’elisir d’amore”, Enkeleda Kamani dhe Nina Muho do t’i japin jetë Adinës me finesë vokale dhe ndjeshmëri skenike, duke nxjerrë në pah karakterin e saj të lirë dhe lozonjar.

Në rolin e Nemorinos, Galeano Salas dhe Matteo Mezzaro sjellin emocionin, butësinë dhe sinqeritetin e djaloshit naiv e të dashuruar.

Davide Luciano dhe Artur Vera interpretojnë rolin e Belcores me autoritet dhe prani të fuqishme skenike.

Rolin plot ngjyra të Doktor Dulcamarës e mishërojnë Gëzim Myshketa dhe Matteo D’Apolito, me energji, karizëm dhe një sens të mprehtë komik që gjallëron çdo skenë.

Ndërsa Ana Tafani dhe Greis Shametaj sjellin Gianettën me freskinë, hijeshinë dhe elegancën që e përfaqëson personazhin e saj, duke plotësuar kështu mozaikun e kësaj komedie lirike e plot jetë.

Ky produksion, i cili rikthehet i plotë në skenë pas 14 vitesh, vjen nën firmën regjisoriale të Riccardo Canessa-s, me skenografi dhe kostume nga Alfredo Troisi.

Kori dhe Orkestra e TKOBAP-së, nën dirigjimin e maestros Jacopo Brusa, sjellin në skenë freskinë, gjallërinë dhe dritën e muzikës së Donizetti-t. “L’elisir d’amore” do të jepet në datat 11-12-13-14 shkurt, në orën 19:00, transmeton rtsh.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme